“Pengmarrje” në Tiranë, Forcat Speciale vrasin 1 nga autorët (VIDEO – Aksioni i ndërhyrjes)

E publikuar: 27/10/2016 19:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një trajnim tre mujor i forcave speciale shqiptare me ato amerikane është përmbyllur me sukses, në thelb të të cilit pati masat anti-terrorizëm në raste të mundshme të sulmeve të tilla.

Forcat Speciale RENEA, ato të Batalionit Special të Ministrisë së Mbrojtjes në bashkëpunim me Forcat Speciale Amerikane, inskenuan një rast penmgarrjeje në Tiranë, dhe ndërhyrjen e forcave speciale për të shpëtuar pengjet. Rasti u improvizua tek Akademia e Arteve, ku gjithçka përfundoi me një pengmarrës të vrarë nga Forcat Speciale, 3 të arrestuar dhe shpëtimin e 15 pengjeve.

Demonstrim në kuadër të përmbylljes të stërvitjes JCET 2016.

Situata e demonstruar përfshiu një situatë pengmarrje masive në një ambientet kulturor.

Skenari i kësaj situate pengmarrje u zhvillua tek Akademia e Arteve, ku 4 persona u futën në sallën e shfaqjeve, morën peng 10-15 persona dhe kërcënuan me armë. Në kuadër të kësaj situate nga strukturat e Policisë është marrë informacion se pengmarrësit kanë 2 automatikë dhe 4 pistoleta.

Ky mësim tregues i zhvilluar nga Forcat Speciale RENEA dhe forcat të Batalionit Special të Ministrisë së Mbrojtjes, ku secili institucion në këtë rast mori detyrimet e veta në kuadër të planit të masave dhe planit operacional special.

Në terren u angazhuan forcat taktike dhe njësia e snajperëve nga të dy institucionet. Po ashtu u angazhuan edhe njësia e negocimit, njësia anti-eksploziv dhe seksioni i shërbimit ambulator të Komisariatit Special RENEA.

Veprimi i parë që u krye ishte goditja e realizuar nga një snajper ndaj një pengmarrësi, i cili doli jashtë ambienteve të godinës së bashku me një prej personave të marrë peng dhe kërcënonte se do ta vriste. Me eliminimin e pengmarrësit filloi edhe faza e parë e veprimeve taktike të strukturave.

Ndërhyrja dhe zgjidhja e situatës nga forcat speciale të të dy institucioneve përfshiu 2 faza:

– Faza e parë përfshiu afrimin e forcave nga jashtë godinës deri në afërsi të hyrjes, ku u demonstruan lëvizjet që u realizuan nga strukturat në terren në këto raste.

– Në vijim u bë një ndalesë, ku u ftuan pjesëmarrësit për të hyrë në ambientet e brendshme të Akademisë së Arteve, pasi aty u zhvillua edhe faza e dytë.

– Faza e dytë përfshiu veprimet që u kryen brenda ambienteve ku gjendeshin 10-15 pengje dhe 4 pengmarrësit e armatosur. U demonstruan veprimet për lirimin e pengjeve dhe më pas veprimet për shoqërimin e tyre në ambientet e strukturave lokale policore për intervistimin përkatës.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ambasadës Amerikane të cilët ishin edhe në rolin e organizatorit të aktivitetit, krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Zv.ministri i Mbrojties, përfaqësuesit e misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit si dhe oficerët policorë ndërlidhës të atashuar në vendin tonë.

/Gazeta Express/