Pekini reagon ashpër ndaj vizitës së Pelosit në rajonin e Tajvanit

E publikuar: 02/08/2022 21:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sapo avioni i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelositë mbërriti në rajonin e Tajvanit, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës, organi më i lartë ligjvënës dhe organi më i lartë i konsultimeve politike i Kinës dhe Zyra e Çështjeve të Tajvanit shprehën dënim dhe kundërshtim të fortë. Ndërsa, forcat e armatosura të vendit reaguan, duke thënë se do të marrin masa të mëtejshme ushtarake.

“Pa marrë parasysh kundërshtimin e ashpër të Kinës, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të ShBA-së Nancy Pelosi arriti në rajonin e Tajvanit të Kinës për vizitë. Kjo është një shkelje serioze e parimit të “Një Kine” dhe e dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, duke goditur rëndë bazën politike të marrëdhënieve Kinë-ShBA, duke shkelur rëndë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kinës, duke dëmtuar seriozisht paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe duke u lëshuar forcave separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” një sinjal shumë të gabuar. Kina e kundërshton me vendosmëri dhe e dënon rreptësisht këtë, dhe i ka paraqitur ShBA-së protestën e vet të ashpër”, kështu thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.

Në botë ka vetëm një Kinë, Tajvani është pjesë e pandashme e territorit të Kinës dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson tërë Kinën. Kjo përcaktohet qartë në rezolutën nr. 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 1971. Tani në botë, 181 vende kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën në bazë të parimit të “Një Kine”, i cili është një konsensus i gjerë i bashkësisë ndërkombëtare dhe një normë themelore e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në vitin 1979, Shtetet e Bashkuara bënë premtimin e qartë në Komunikatën për Vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike Kinë-ShBA: “ShBA-ja e njeh qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si të vetmen qeveri të ligjshme të Kinës. Brenda këtij konteksti, populli amerikan do të mbajë marrëdhënie kulturore, tregtare dhe marrëdhënie të tjera jozyrtare me popullin e Tajvanit”. Kongresi i ShBA-së, si pjesë e qeverisë amerikane, duhet të respektojë rreptësisht politikën e “Një Kine” të qeverisë amerikane dhe të mos zhvillojë asnjë shkëmbim zyrtar me rajonin e Tajvanit të Kinës. Kina i ka kundërshtuar gjithmonë vizitat e anëtarëve të Kongresit të ShBA-së në Tajvan dhe dega ekzekutive e ShBA-së ka përgjegjësinë t’i ndalojë vizita të tilla. Meqenëse Nancy Pelosi është udhëheqësja në detyrë e Kongresit të ShBA-së, vizita e saj në Tajvan në çfarëdo forme dhe për çfarëdo arsyeje, është një provokim madhor politik për të përshkallëzuar shkëmbimet zyrtare të ShBA-së me Tajvanin. Kina absolutisht nuk e pranon këtë dhe populli kinez e hedh poshtë me vendosmëri një gjë të tillë.

Asnjë vend, asnjë forcë dhe asnjë individ nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë e paluhatur, vullnetin e fortë dhe aftësinë e madhe të qeverisë dhe popullit kinez për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar e të tëtërisisë territoriale dhe për ribashkimin e atdheut dhe përtëritjen e kombit kinez. Pala amerikane dhe forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” duhet të mbajnë përgjegjësinë për të gjitha pasojat që lindin prej kësaj vizite.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës, Wu Qian, shprehu të martën kundërshtim dhe dënim të fortë për vizitën e Pelosit.

“Kina i ka ritheksuar disa herë pasojat e rënda të kësaj vizite. Por, Pelosi megjithatë provokoi në mënyrë keqdashëse dhe krijoi krizë, gjë që ka shkelur rëndë parimin e ‘Një Kine’, tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane dhe marrëdhëniet ndërmjet ushtrive të të dy vendeve. Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës është në një nivel të lartë vigjilence dhe do të reagojë me një sërë veprimesh të shënjeshtruara ushtarake, duke mbrojtur me vendosmëri sovranitetin e tërësinë territoriale të vendit dhe duke shkatërruar ndërhyrjet e huaja dhe orvatjet e separatistëve tajvanezë”, deklaroi zëdhënësi Wu Qian.