Pekini kundërshton vizitën e Nancy Pelosi-t në Tajvan

E publikuar: 20/07/2022 12:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Lidhur me raundin e ri të shitjes së armëve amerikane Tajvanit dhe me vizitën e planifikuar të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në ishull, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian i kërkoi të martën palës amerikane të ndalojë menjëherë shitjen e armëve Tajvanit dhe lidhjet ushtarake e shkëmbimet zyrtare me këtë provincë, duke zbatuar realisht premtimin e bërë për mospërkrahjen e “pavarësisë së Tajvanit”.
Zhao Lijian theksoi se, qoftë në parimin e “Një Kine” apo në politikën e “Një Kine”, “një Kinë” është thelbi. Pranimi i faktit që Tajvani është pjesë e Kinës është premtim i bërë nga ShBA-ja në tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane. Shitja e armëve amerikane Tajvanit shkel rëndë parimin e “Një Kine” e tre komunikatat e përbashkëta dhe do të acarojë situatën e tensionuar në ngushticën e Tajvanit.
Duke komentuar për vizitën e planifikuar të Nancy Pelosi-t në Tajvan në gusht, Zhao Lijian-i u shpreh se Pekini e kundërshton me vendosmëri këtë vizitë. “Kina kundërshton me vendosmëri shkëmbimet zyrtare të çdo forme mes ShBA-së e Tajvanit. Kongresi është pjesë integrale e qeverisë amerikane dhe Dhoma e Përfaqësuesve duhet të respektojë politikën e ‘Një Kine’. Nëse kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi viziton Tajvanin, kjo do të shkelë rëndë parimin e ‘Një Kine’ dhe tre komunikatat kino-amerikane, do të dëmtojë rëndë sovranitetin e tërësinë territoriale të Kinës, do të ndikojë mbi bazën politike të marrëdhënieve kino-amerikane e do t’u lëshojë sinjale të gabuara forcave përçarëse të ‘pavarësisë së Tajvanit’. Nëse pala amerikane këmbëngul ta bëjë një gjë të tillë, pala kineze do të marrë kundërmasa për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendit,” vuri në dukje zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian.