Pekin, mbahet samiti i 7-të i instituteve globale të studimit të politikave

E publikuar: 08/07/2022 11:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Të martën pasdite u zhvillua në Pekin Samiti i 7-të i Instituteve Globale të Studimit të Politikave, me temë “Përballimi i përbashkët i sfidave globale – Bashkëpunimi dhe nxitja e zhvillimit botëror”. Pjesëmarrësit në samit ishin në një mendje që, në këtë moment kyç për drejtimin e zhvillimit global, është një detyrë kyçe që të shtohet efektiviteti dhe bashkërendimi në procesin e bashkëpunimit për zhvillimin shumëpalësh, të shpejtohet zbatimi i Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 të OKB-së dhe të nxitet një zhvillim global më i fuqishëm, më i gjelbër dhe më i shëndetshëm.

Në këtë samit përfaqësuesi i palës kineze u shpreh që tani, me ndryshimin e situatës ndërkombëtare dhe ndikimin e pandemisë së COVID-19, ekonomia botërore dhe zhvillimi global po përballen me sfida të rënda. Për këtë arsye, palët duhet të konsolidojnë më tej konsensusin, të ruajnë bashkërisht paqen e qetësinë botërore, të nxisin zhvillimin e shëndetshëm të globalizimit ekonomik, të ruajnë stabilitetin e zinxhirëve globalë industrialë dhe të furnizimit, të nxisin së bashku zhvillimin e partneritetit dhe të ngushtojnë hendekun e zhvillimit.

Zv.kryetari i përhershëm i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës dhe zv.drejtori i Komisionit të Ekonomisë pranë Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez Bi Jingquan u shpreh: “Globalizimi ekonomik kërkon më pak pengesa, më shumë bashkëpunim dhe mjedis më të barabartë për tregtinë dhe investimet. Kina dhe SHBA-ja janë dy ekonomitë më të mëdha në botë dhe bashkëpunimi mes tyre luan rol kyç për përballimin e problemeve globale dhe për stabilitetin e zhvillimin e ekonomisë botërore. Shpresojmë që të dy vendet të shtojnë shkëmbimet e komunikimin, të kundërshtojnë shkëputjen e ndarjen dhe të ruajnë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe funksionimin e lirshëm të zinxhirëve globalë industrialë dhe të furnizimit.”

Pjesëmarrësit e huaj shprehën mendimet e tyre në këtë samit, duke u shprehur që, në kushtet e tanishme kur gjendja e ekonomisë globale po ndërlikohet gjithnjë e më shumë, të gjitha vendet e botës duhet të ngulin këmbë në përfshirjen dhe nxjerrjen e mësimeve të ndërsjella, të zhvillojnë në mënyrë aktive bashkëpunimin ndërkombëtar, të bashkohen në luftën kundër epidemisë dhe në përballimin e çështjeve të shëndetit publik, të nxisin bashkëpunimin global në fushën e inovacionit tekniko-shkencor duke mbrojtur të drejtat e pronësisë intelektuale dhe të forcojnë bashkërisht qeverisjen klimatike globale, të zgjidhin problemet e sigurisë ushqimore dhe të promovojnë rimëkëmbjen ekonomike globale. Në këtë proces, vendet e mëdha duhet të mbajnë më shumë përgjegjësi, të tregojnë përgjegjësinë e duhur, të shtojnë komunikimin, bashkërendimin e bashkëpunimin e ndërsjellë, të nxisin më tej multilateralizmin, të ndërtojnë një rend të barabartë e të drejtë ndërkombëtar dhe t’i afrojnë me njëri-tjetrin vendet e mbarë botës.

Ish-kryeministri francez Jean-Pierre Raffarin u shpreh: “Në botën shumëpolare, qeverisja globale duhet të jetë më paqësore. Tani, duhet medoemos të inovojmë multilateralizmin, pasi vetëm kështu do të kapërcejmë vështirësitë. Kjo është një detyrë që na përket të gjithëve.”

Kryetari i Shoqatës së Azisë me qendër në ShBA dhe ish-kryeministër i Australisë, Kevin Rudd, vuri në dukje që bashkëpunimi Kinë-ShBA luan rol shumë të rëndësishëm për përballimin e suksesshëm të sfidave të tanishme nga bashkësia ndërkombëtare.

“Me ardhjen e momentit kyç të gjysmës së 2-të të vitit 2022, shpresojmë që Kina dhe ShBA-ja të punojnë së bashku për ruajtjen e stabilitetit ekonomik global. Bota nuk mund të bëjë pa bashkëpunimin Kinë-ShBA, qoftë në hartimin e masave stimuluese ekonomike të bashkërenduara globalisht, qoftë në menaxhimin e reformave ekonomike dhe pakësimin e karbonit apo për kontrollin e inflacionit global. Vetëm të bashkuar mund të sigurojmë stabilitetin ekonomik botëror,” tha Kevin Rudd.

Samiti i Instituteve Globale të Studimit të Politikave organizohet nga Qendra e Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare e Kinës dhe është një konferencë ndërkombëtare shumëpalëshe institucionale që mbahet një herë në dy vjet. Samiti i parë u zhvillua në vitin 2009 dhe deri tani është organizuar gjashtë herë në Pekin. Samiti fokusohet në çështje madhore si ekonomia, financat, investimet, tregtia, zhvillimi i qëndrueshëm e siguria dhe është bërë një platformë e rëndësishme e komunikimit ndërkombëtar të nivelit të lartë.

 

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!