Pejë, nëntë muaj dënim për shitje të substancës narkotike

E publikuar: 16/01/2020 14:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit me inicialet A.K. për vepër penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Përveç dënimit nëntë muaj burgim, Gjykata e ka dënuar personin në fjalë edhe me gjobë prej 500 eurosh, njofton Klan Kosova.

“Gjatë periudhës kohore nga muaji shkurt e deri me datën 10.09.2019 në Pejë, pa autorizim ka shpërndarë dhe shitur substanca narkotike të llojit ‘Marihuanë’, në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës së lartcekur i ka shitur disa here dëshmitarit E.S. sasi të ndryshme të narkotikut në shumë nga pesë (5) euro e po ashtu i ka dhënë për konsumim narkotik vëllait të tij, gjersa pas pranimit të informatave Sektori i Policisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë ka ndërmarrë një operacion bastisje dhe kontrolli në shtëpinë ku ishte duke banuar i pandehuri me ç’rast me të filluar kontrollin i pandehuri nga dritarja e ballkonit të shtëpisë i ka hedhur në oborrin e shtëpisë se fqinjit të tij tre (3) qese najloni me substance narkotike në peshë të përgjithshme prej 56.4 gram”.

“Të pandehurit A.K. gjykata i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej nëntë (9) muajsh, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Dënimin me burgim pandehuri do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi si dhe dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) eurosh”.

“I njëjti u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale Gjykatës t’ia paguajë shumën prej 50 eurosh, shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 50 eurosh si dhe në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 eurosh, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi”.

“Të njëjtit iu konfiskua telefoni celular si dhe substanca narkotike”.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.