PE me kërkesë ndaj Serbisë: Hapja e kapitujve të rinj vetëm pas sanksioneve kundër Rusisë

E publikuar: 08/06/2022 19:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Parlamenti i Evropës po i kërkon Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës dhe të marrë një vendim të qartë nëse do të anëtarësohet ose jo në Bashkimin Evropian, thuhet në dokumentin e publikuar sot nga televizioni shtetëror serb.

Me vërejtjet e mëparshme lidhur me sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, raporti për Serbinë qartëson se “përputhja me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet kundër Rusisë, do të përcaktojë rrjedhën e mëtejshme të negociatave të anëtarësimit”.

Teksti, i rënë dakord nga grupet kryesore politike të PE-së, theksoi “nevojën e Serbisë për t’u lidhur me qëndrimet e BE-së mbi luftën në Ukrainë, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe liritë e medias”.

Eurodeputetët thonë se mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BE, por se kjo varet nga vullneti politik i autoriteteve serbe dhe gatishmëria për “reforma të pakthyeshme, veçanërisht në sundimin e ligjit”.

Ligjvënësit po bëjnë thirrje për sanksione urgjente, duke shprehur shqetësimin se Serbia është ndër të paktat vende evropiane që nuk ka respektuar qëndrimin e BE-së dhe se ajo është e fundit në rajon për sa i përket pajtueshmërisë me euro-bllokun.

“Ne mbrojmë që kapitujt e rinj të negociatave të hapen vetëm kur Serbia të merr masat e nevojshme në këtë drejtim, përfshirë edhe në fushën e sundimit të ligjit”, thuhet në raport.

Ligjvënësit i bënë thirrje Serbisë të rishqyrtojë bashkëpunimin e saj ekonomik me Rusinë dhe të pezullojë bashkëpunimin ushtarak me Moskën, duke përfshirë projekte të tilla si e ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruse në Nish, të cilën kritikët e shohin si një projekt të drejtpërdrejtë strategjik rus në Serbi. Ata janë të shqetësuar edhe për blerjen e pajisjeve ushtarake nga Rusia, Bjellorusia dhe Kina, duke thënë se ajo përbën 70 për qind të prokurimit total në Serbi.

Raporti përmend gjithashtu shqetësimet për raportet e përgjimeve të liderëve të opozitës ruse në Beograd, akuza të hedhura poshtë nga zyrtarët serbë si të pabaza.

Teksti kritikon gjithashtu përhapjen e dezinformatave në lidhje me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, duke përfshirë përfshirjen e mediave pranë qeverisë, dhe u bën thirrje autoriteteve serbe të ndërmarrin hapa vendimtarë në luftën kundër lajmeve të rreme më të përhapura.

Raporti do të votohet në një sesion të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE më 14 qershor dhe duhet të miratohet në seancën plenare të PE në qershor.