PDK: Seanca u ndërpre në mënyrë abritrare, pikërisht kur pritej diskutimi për Trustin

E publikuar: 22/06/2022 16:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë që seanca e sotme është ndërprerë në mënyrë të paprecedentë në momentin kur po pritej të diskutohej për Trustin.

“Me javë të tëra, kemi pa arsye dhe forma të ndryshme që është penguar për me ardh deri në votimin e kësaj pike. Pra, edhe sot në mënyrë të paprecedentë dhe në mënyrë arbitrare është ndërprerë seanca e Kuvendit, pikërisht kur ishim te pika e diskutimit të Trustit; pra një kërkesë rreth 695 mijë kontributpaguesve dhe në mënyrë të paprecedentë ndërpritet seanca dhe thuhet se do të vazhdojë nesër”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.

Tahiri tutje tha që nëse do të ndërpritet seanca apo do të vazhdojë këtë e vendos vetë seanca me mocion procedural dhe jo kryetari i kuvendit.

Ai tha që sikur Qeveria Kurti të ishte e përkushtuar në qeverisjen e vendit, sipas tij nuk do të paraqitej nevoja për tërheqjen e parave të Trustit.

“Këta kanë një përkushtim tepër të madh në pengimin e kësaj iniciative, e sikur të kishin pasë përkushtim kaq të madh në qeverisjen e vendit nuk kish me ardh puna me kërku mi tërheq kursimet për me kalu këtë gjendje të rëndë ekonomike”, tha Tahiri.

Ndryshe në mungesë kuorumi, seanca e së mërkurës në të cilën ishte paraparë shqyrtimi i tërheqjes nga Trusti është shtyrë për të enjten.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se seanca do të nisë të enjten në orën 10:00.