PDK-ja do të kërkojë në seancë shkarkimin e Rozeta Hajdarit

E publikuar: 20/03/2023 13:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se gjatë seancës do të kërkojnë shkarkimin e ministres Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për siç ka thënë shkeljet e shumta që i ka bërë në dikasterin që ajo e drejton, raporton Ekonomia Online.

Deliu-Kodra tha se në seancën e të enjtes pos kësaj pike, do ta kenë edhe Projektligjin për pensionimin e parakohshëm të policisë.

“Si PDK edhe sot kemi propozuar ta kemi në rend dite së shpejti projektligjin për pensionimin e parakohshme të Policisë së Kosovës, tash e sa kohë Komisioni për Siguri është duke e bllokuar këtë projektligj të rëndësishëm në Komision, ndonëse kanë kaluar afatet e bazuara në rregullore, ne kemi kërkuar edhe sot që ky projektligj të vijë në seancë për të marrë mbështetjen e deputetëve. PDK-ja pret që të enjten ta kemi në rend dite edhe shkarkimin e zonjës Hajdari. Për shkak të shkeljeve të njëpasnjëshme në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se Partia Demokratike e Kosovës ka vërejtje lidhur me marrëveshjen, të cilat presin t’i diskutojnë të enjten.

“Ka një shqetësim serioz me kompetencat që i jepen një komuniteti serb në Kosovë. Ne kemi vërejtje serioze me marrëveshjen të cilat presim që ti diskutojmë ditën e enjte. Kryeministri dje kishte lojë fjalësh se çka quajmë vetëmenaxhim e vetadministrimit ashtu siç bën gjithmonë. Detajet, shqetësimet, adresimet tona do t’i japim ditën e enjte”, është shprehur ajo.