PDK e ndërron edhe kandidatin për Gjakovë

E publikuar: 28/08/2017 15:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës e ka ndërruar edhe një kandidat për kryetar komune. Partia e Veselit ka hequr dorë nga kandidatura e Hajdar Beqës, për të garuar me Ramandan Hotin.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express vetë Beqa. Deputeti më i ri në këtë legjislaturë thotë se ka vendosur që ta mbajë pozitën e  deputetit, duke mos kandiduar për kryetar komune. Madje thotë se ka qenë nismëtar që Hotin ta propozojë për kryetar të Gjakovës nga radhët e PDK’së.

“PDK, dega në Gjakovë, kandidat zyrtar për kryetar të komunës së Gjakovës e ka nënkryetarin, Ramadan Hoti, i cili fuqishëm do të dalë në këtë zgjedhje. Vendimi i tij ka qenë i mirëpritur, fillimisht nga unë që e kam propozua zotin Hoti. Ai ka vlerat dhe të gjitha vetit për ta udhëhequr komunën”, deklaroi Beqa.

Ai theksoi se do të vazhdojë ta mbajë pozitën e deputetit të zgjedhur në legjislaturën e gjashtë.

“Unë në zgjedhjet e 11 qershorit i kam fituar votat si deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe nuk dua që t’i zhgënjejë votuesit e mi.  Më është dukur e pandershme që pasi kam marrë vota si deputet, të shkoj e të garojë për kryetarë komune”, deklaroi Beqa për Expressin.

Kujtojmë se PDK-ja në Gjakovë deri në qershor të këtij viti ka qenë pjesë e qeverisjes së Mimoza Kusari-Lilës, por kjo e fundit, pak para dorëheqjes nga komuna, për të garuar për deputete, shkëputi njëanshëm bashkëpunimin me PDK-në