Pas vendimit të OKB-së, viktimat e përdhunimit në Bosnje në pritje të dëmshpërblimit

E publikuar: 30/08/2019 20:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autore: Mirna Sadikoviq

Kombet e Bashkuara kanë urdhëruar Bosnje dhe Hercegovinën që ta dëmshpërblejë një grua të përdhunuar nga një ushtar serb gjatë luftës.

Ky ka qenë rasti i parë i dhunës seksuale që është sjellë para Komitetit të OKB-së kundër Torturës.

Disa thonë se ankesa e myslimanes nga Bosnja, e përdhunuar në vitin 1993, mund të shërbejë si precedent, duke iu mundësuar viktimave të dhunës seksuale në gjithë botën të kërkojnë kompensim, në bazë të ligjeve ndërkombëtare për torturat.

Komiteti, po ashtu, kërkoi që Bosnja të sigurojë kompensim të shpejtë, të drejtë dhe adekuat, si dhe kujdes mjekësor dhe psikologjik falas për ankuesen, ashtu si edhe kërkim-falje publike.

Vendimi, i cili u mor ditë më parë, është shumë i rëndësishëm, thotë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Enisa Sallçinoviq, nga Shoqata e të Burgosurave në Bosnje.

“Më vjen vërtet mirë që dëmshpërblimi do të paguhet”, thotë Sallçinoviq, duke kujtuar se përpjekjet që viktimat e përdhunimit në luftë të marrin statusin e viktimave civile të luftës, kanë zgjatur gati dy dekada.

Vendim me rëndësi globale

Për Adrijana Hanushiq Beqiroviqin, këshilltare e lartë ligjore në organizatën TRIAL, e cila e ka udhëhequr lëndën, vendimi i Komitetit të OKB-së është i rëndësishëm për disa arsye.

“Këtë vendim e konsiderojmë revolucionar, jo vetëm në nivel të shtetit tonë, por edhe global, sepse është vendimi i parë i këtij organi për një përfaqësuese të viktimave të dhunës seksuale të luftës”, thotë Hanushiq Beqiroviq.

Ankesa e gruas nga Bosnja, identiteti i së cilës është i mbrojtur, e ka shtyrë Komitetin e Kombeve të Bashkuara kundër Torturës të hetojë nëse Bosnja i ka kryer të gjitha obligimet me Konventën e OKB-së kundër Torturës dhe Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës.

Është hetuar po ashtu nëse ky vend ka siguruar të drejtën për kompensim adekuat dhe të drejtë, si dhe rehabilitim të plotë.

Informacione janë kërkuar, ndër të tjera, nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Refugjatëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ligji nuk është miratuar në Parlamentin e Bosnjës

Ndihmësministrja për të Drejta të Njeriut në Bosnje, Salliha Gjuderija, tregon se cilët janë hapat e ardhshëm për zbatimin e vendimit të Komitetit të OKB-së.

“Kur të vijë zyrtarisht lënda në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ajo do t’ua referojë atyre që janë përgjegjës, varësisht a bëhet fjalë për pagimin e dëmshpërblimit apo kërkim-faljen publike apo ndryshimin e ligjit. Neve na mbetet të shohim se si këto çështje mund të adresohen. Kjo është një gjë që ne do ta koordinojmë në të ardhmen, ndërsa përgjegjësia për zbatimin u mbetet institucioneve kompetente, që duhet të zbatojnë atë që Bosnja e ka pranuar dhe ratifikuar, e ajo është Konventa e OKB-së kundër Torturës”, thotë Gjuderija.

Ajo kujton se Ministria, po ashtu, ka hartuar një ligj që siguronte trajtim adekuat të viktimave të dhunës seksuale në luftë, porse ai nuk është miratuar në Parlamentin e Bosnjës.

”Bëhet fjalë për një projektligj për të drejtat e viktimave të torturës, që mbulonte nivelin e përgjithshëm të mbrojtjes së këtyre viktimave në përputhje me standardet ndërkombëtare. Sidoqoftë, ju e dini që ligji nuk ka marrë mbështetjen e entiteteve dhe mbetet të shihet se si do ta trajtojmë këtë çështje në të ardhmen”, thotë Gjuderija.

Pa efekt të drejtpërdrejtë juridik

Vendimi i Komitetit të Kombeve të Bashkuara rekomandon që kompensimi t’i paguhet viktimës së dhunimit të luftës sa më shpejt që të jetë e mundur. Ministria e Financave dhe e Thesarit e Bosnjës thotë se nuk ka marrë ende asnjë njoftim në lidhje me të.

“Në momentin që dikush e sjell vendimin, gjykimin ose ndonjë dokument përfundimtar për kompensimin, ne mund të veprojmë”, thotë zëdhënësja Natasha Krsman.

Meqenëse ky është një vendim që nuk është ligjërisht i detyrueshëm, Adrijana Hanushiq Beqiroviq thotë se në rast se autoritetet e Bosnjës nuk e zbatojnë, një gjë e tillë do të merret parasysh në raportin që paraqitet çdo vit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se së paku 20,000 gra i janë nënshtruar dhunës seksuale gjatë luftës në Bosnje në vitet 1990, në të cilën janë vrarë më shumë se 100,000 njerëz.

Përgatiti: Valona Tela