Pas shumë ditësh pritje, rikthehet shërbimi i Radioterapisë në QKUK

E publikuar: 18/07/2022 14:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Univeristar i Kosovës njofton se nga dita e sotme ( e hënë, 18 korrik 2022), është rikthyer në punë Shërbimi i Radioterapisë- Akseleratori për Rrezatim, po ashtu, Shërbimi i Brahiterapisë, Ct- Stimulatori dhe Mozaiku, në kuadër të Klinikës së Onkologjisë në QKUK.

“Rikthimi i këtyre shërbimeve është bërë, pas përpjejekjeve maksimale nga stafi i Klinikës së Onkologjisë, Sektori Teknik i QKUK-së dhe kompania që ka nën mirëmbajtje dhe servisim aparaturat mjekësore.

Pjesa e parë e pacientëve kanë kryer radioterapinë gjatë ditës së sotme, kurse pacientët tjerë do të thirren gradualisht”, thuhet në njoftim, transmeton Express.

Para fillimit të punës, është bërë dezinfektimi dhe dezinsektimi i hapësirave.

“ShSKUK falënderon Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, e cila ka qenë në kontakt të vazhueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës për situatën e krijuar, dhe ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar pacientët kosovarë, që kanë pasur nevojë për Shërbimin e Radioterapisë”, përfundon njoftimi.

Prej ditësh, pacientët e planifikuar për radioterapi nuk kanë arritur ta marrin këtë shërbim në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë, kjo për shkak të reshjeve të shumta atmosferike, të cilat kanë depërtuar në bodrumin e kësaj klinike, duke e bërë kështu të dal jashtë funksionit gjithë aparaturën e radioterapisë.