Partitë nuk i paguajnë gjobat e zgjedhjeve lokale, mbi 130 mijë euro borxhe

E publikuar: 27/04/2018 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Mbi 130 mijë euro gjoba ende nuk janë paguar nga partitë politike për dënimet që i kanë marrë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar.

Në mesin e partive me më së shumti gjoba janë LDK-ja, AAK-ja dhe PDK-ja, të cilat kanë shumat më të mëdha të borxheve.

Në një përgjigje për lajmi.net, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se partitë që nuk kanë paguar asnjë cent nga gjobat e dhëna janë: Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Alternativa.

Kurse, gati gjysmën e gjobave i ka paguar PDK-ja e Kadri Veselit.

Tabela: Partitë me borxhet më të mëdha

Kurse më korrekte me PZAP-në, duke paguar dënimet në tërësi kanë qenë: Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca Kosova e Re, Nisma për Kosovën, Lista Serbe, Lëvizja për Bashkim, dhe parti tjera më të vogla.

Nga shumat totale të gjobave në zgjedhje kanë qenë 257 mijë e 350 euro, nga të cilat deri më tani janë paguar 127 mijë e 250.

Pra, shuma e mbetur e papaguar ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është 130 mijë e 100 euro.

Ky institucion i ka paralajmëruar partitë edhe me shkrim, por që disa prej tyre ende nuk kanë paguar dënimet për shkeljet që i kanë bërë gjatë zgjedhjeve lokale.

“Afati për pagesën  e këtyre gjobave ka kaluar. PZAP-i subjektet politike qe nuk i kanë paguar gjobat i ka paralajmëruar me shkresa zyrtare ku disa prej tyre pas paralajmërimit i kane paguar gjobat, ndërsa disa ende jo, jemi ne pritje qe edhe subjektet tjera te cilat nuk i kanë paguar gjobat që ato t’i paguajnë brenda muajit prill 2018”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së për lajmi.net.

Tutje bëhet e ditur që partitë që nuk i shlyejnë këto dënime, nuk do të mund të marrin pjesë në zgjedhje.

“Subjektet politike që nuk i paguajnë gjobat ne bazë te dënimeve që ka shqiptuar PZAP-i nuk do të mund te certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet ardhshme që mbahen në Kosove qofshin ato të nivelit qendror apo lokale”, ka bërë të ditur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Zgjedhjet lokale të vitit 2017 ishin mbajtur më 22 tetor. /Lajmi.net/