Partitë gati për konsultime, presin ftesën e Presidentit

E publikuar: 29/07/2019 20:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar që këtë javë do të fillojë konsultimet me partitë politike

Ka paralajmëruar që këtë javë do t’i nis konsultimet me partitë politikë.

Por, Presidenti Hashim Thaçi as këtë të hëne nuk u ka dërguar ftesat subjekteve politike.

E kur do që t’i ftojë, partitë janë të gatshme ta takojnë shefin e shtetit.

Duket se bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të forcave politike dhe të parit të vendit do të jenë të shkurta.

Kjo pasio që të gjitha partitë parlamentare tanimë duket se kanë ndarë mendjen.

Ato kërkojnë që sa më shpejtë të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Një gjë të tillë po e kërkon edhe partia e kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinajt.

“Do kërkojmë zgjedhje…”, ka thënë Ahmet Isufi, AAK

Për zgjedhje me presidentin do të flasë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Edhe në partinë e ministrit të Jashtëm në dorëheqje, Behgjet Pacollit, thonë se pas konsultimeve me presidentin, zgjedhjet janë opsion për daljen nga situata e krijuar.

“Zgjedhjet janë opsion …”, ka thënë Jetlir Zyberaj nga AKR

Të njëjtin mendim e ndan edhe partia tjetër e koalicionit qeverisës, Nisma Socialdemokrate.

E nëpërmjet një deklarate me shkrim, zëdhënësja e PSD-së, Natyrë Kuçi, ka thënë se presidenti duhet të caktojë datën e zgjedhjeve sa më parë.

Ditë më parë, pro zgjedhjeve u deklarua edhe LDK e PDK.