Partitë fshehin shpenzimet e fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme

E publikuar: 11/10/2017 15:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Demokraci Plus (D+) ka publikuar infografikën e radhës ku matet funksionalizimi, mirëmbajtja dhe azhurnimi i webfaqeve zyrtare të subjekteve kryesore politike në Kosovë. Në përgjithësi, krahasuar me infografikën e para gjashtë muajve, vërehet një trend pozitiv në aspekt të funksionalizimit të webfaqeve të partive politike.

Megjithatë, shqetësues mbetet fakti që asnjëra nga subjektet politike nuk i kanë të publikuara raportet e shpenzimeve nga fushata e fundit elektorale e zgjedhjeve nacionale në qershor të këtij viti. Raportet e shpenzimeve të rregullta të partive politike deri në vitin 2016 janë bërë publike nga AAK dhe LDK, përderisa Nisma dhe Vetëvendosje i kanë të publikuara vetëm deri në vitin 2015. Në anën tjetër, PDK nuk ka të publikuar asnjë raport të financave të saj në faqen zyrtare të partisë.

D+ u bënë thirrje subjekteve politike që të publikojnë raportet e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve të fundit si dhe raportet e rregullta financiare sepse transparenca financiare është e vetmja mënyrë për të kthyer besueshmërinë e qytetarëve tek partitë politike.