Paradoksi: Një javë cirk e bllokadë, marrje rrogash e shpërblimesh në Kuvendin e Kosovës

E publikuar: 10/08/2017 13:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për të katërtën herë me radhë Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë organet drejtuese, konkretisht kryetarin e nënkryetarët pasi  deputetët e koalicionit fitues PDK-AAK-NISMA nuk janë paraqitur në seancë për të propozuar kandidatin për kryekuvendar.

Edhe pse të pranishëm ishin 61 deputetë dhe kishte kuorum, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci e ndërpreru atë, ndërsa nuk dihet se si do vijohet më tutje.

Edhe në vazhdimin e seancës së sotme ashtu si edhe ato parapraket u dëgjuan deklarime të njëjta nga Vetëvendosje dhe LDK-ja.

Të dy këto parti, përmes Kryetarëve të Grupeve Parlamentare, Glauk Konjufcës dhe Avdullah Hotit akuzuan PAN-in se po bllokon formimin e institucioneve dhe i bënë thirrje që të rikthehen në Kuvend.

Ndërsa Konjufca bëri sërish të qartë se nuk e votojnë Kadri Veselin për kryekuvendar dhe i bëri thirrje PDK-së të paraqesë një kandidat të pranueshëm për të gjitha partitë, Hoti tha se duhet të mbahet një takim tjetër konsultativ ku PAN duhet të tregojë datën e seancës dhe të ecet para, në të kundërt shtoi ai duhet të shihen mundësi tjera ligjore për krijimin e institucioneve.

Bllokada e cirku vazhdojnë…

Edhe ky tentim i radhës për vazhdimin e seancës tregoi qartë se nëse paraprakisht nuk arrihet një marrëveshje mes partive apo nuk jepet vota “pro” të paktën për Kadri Veselin kryekuvendar cirku në Kuvend dhe bllokada do të vazhdojnë, ku do të përsëriten qëndrimet e njëjta.

Ndaj një thirrje e sërishme e seancës nga kryesuesi Adem Mikullovci pa u bërë e qartë se PAN do të rikthehet në Kuvend dhe do të propozojë kandidatin për kryeparlametar do jetë një tjetër cirk që do të vazhdojë të fyejë intelegjencën e qytetarëve,  të cilët më 11 qershor votuan që institucionet të punojnë për mirëqenien e tyre e jo të shohin marrëzira të tilla ku lufta bëhet vetëm për karrigen e pushtetit.

Për një javë të tërë cirk ofroi edhe PAN që në pamundësi për të bërë numrat për ta votuar Veselin e Haradinajn, paraqitën kërkesë qesharake drejtuar VV-së e LDK-së që t’u japin votat në të kundërtën nuk kthehen në Kuvend, çka po vazhdon ende.

Rrogat dhe shpërblimet ecin…

Pavarësisht se deputetët e PAN-it po bojkotojnë punimet e Kuvendit, atyre do ju ecin rrogat e larta rreth 1500 euro, kurse deputetët e  krahut tjetër që po marrin pjesë në seanca përfshirë këtu edhe deputetin e NISMA-s Milaim Zeka, përveç pagës do marrin edhe shpërblimet prej 120 euro për seance, ndonëse 95 % prej tyre gjatë vazhdimit të kësaj seance maratonë nuk kanë folur fare.

Kështu deputetët nuk kanë pse të mërziten për  formimin ose jo të institucioneve pasi kuletat e tyre vazhdojnë t’ju trashen, ndërsa populli vazhdon të heq për bukën e gojës dhe njëkohësisht të dëgjojë marrëzirat e tyre. /tesheshi.com/