Panxha: Pse po quhet Panair Ndërkombëtar e jo Panair mes Kosovës dhe Serbisë? (VIDEO)

E publikuar: 18/04/2018 20:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Panairi Ndërkombëtar i Produkteve, “Prishtina 2018”, ka përplasur Odën Ekonomike të Kosovës dhe Klubin e Prodhuesve të Kosovës.

Krejt kjo për shkak të pranisë së vetëm një biznesi nga Shqipëria në këtë panair dhe 70 nga Serbia.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu ka thënë se të panairi ka qenë i paralajmëruar me muaj përpara dhe se të gjitha vendet kanë qenë të informuar për mbajtjen e tij, njofton Klan Kosova.

Për, Astrit Panxhën, nga klubi i prodhuesve, pjesëmarrja e 70 bizneseve nga Serbia në panairin në Prishtinë, tregon që rruga e ekonomisë së Kosovës drejt BE-së po shkon nëpërmjet Serbisë.

Gërxhaliu dhe Panxha, nuk kanë kursyer fjalët për njëri-tjetrin.

“Gërxhaliu do ta mbajë mend që ka vënë kravatë në Beograd dhe ka dekoruar kryetarin e Odës Ekonomike të Serbisë”, ka thënë Panxha.

Ndërkaq, Gërxhaliu, ka thënë se ky veprim e bën të ndjehet krenar.

“E kam bërë me krenari të madhe sepse tetë vjet është tentuar që Oda Ekonomike të jetë anëtar i barabartë i Odës Ekonomike Evropiane. Nuk e kam bërë në mënyrë të fshehtë sepse është akt që do të prodhojë motiv”.

Në fund krejt, Gërxhaliu, duke iu drejtuar Panxhës, ka thënë se: “Laviret e kanë vendin nëpër shtëpi publike dhe jo nëpër debate”.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka reaguar sot me një komunikatë lidhur me praninë e madhe të kompanive serbe në hapjen e Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018”.

Drejtori i këtij Klubi, Astrit Panxha, ka treguar se pse kanë bërë një reagim të tillë.

“Nuk dëshirojmë të nxirret prej konceptit përmbajtja e komunikatës. Ne nuk kemi reaguar pse ka më shumë biznese nga Serbia se sa nga Shqipëria”.

“Kemi reaguar se pse është ky numër kaq i madh i bizneseve të Serbisë në panairin e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, mbi 50 %”.

“Në fund të fundit, a vijnë ose jo bizneset prej Shqipërisë është çështje tjetër”.

“Pse ky numër kaq i madh i bizneseve serbe dhe pse quhet Panair Ndërkombëtar e pse s’po quhet Panair mes Kosovës dhe Serbisë?”.

“Pse paratë e taksapaguesve të Kosovës të shfrytëzohen për t’i promovuar kompanitë serbe kur e dimë se Serbia e bën të pamundshmen të bllokojë produktet tona në Serbi”.

“Ne kemi problem të shesim, të eksportojmë ashtu si edhe ta përdorim Serbinë si tranzit, derisa këtu vijnë 70 kompani të Serbisë pa asnjë ‘therë në këmbë’ në objektin që është ndërtuar me paratë e taksapaguesve të Kosovës dhe i promovojnë produktet e tyre”.

Panxha në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se në asnjë panair të mbajtur në Serbi nuk është promovuar asnjë produkt ose biznes kosovar.

“Serbia për ne është tregu më me rëndësi, është 7,5 milionë banorë por është ‘mollë e ndaluar’ nga Serbia derisa ne kemi hapë derën për Serbinë që vjen dhe prezanton produktet”.

“Nuk e di që Oda Ekonomike e Kosovës ka marrë biznese të Kosovës në panaire në Serbi”.

“Kemi pasë një Forum të Përbashkët në Serbi, por nuk e di që kemi biznese të Kosovës që kanë shkuar, janë vendosë në panaire dhe kanë promovuar produktet e tyre në Serbi”.

“Pse të mos ndodhë kjo, pse të mos marrim ftesa? Pse të mos organizohemi edhe ne dhe të shkojmë t’i prezantojmë produktet tona”.

“Përgjigja është shumë e thjeshtë – ne jemi në bllokadë nga Serbia”.

Ai ka deklaruar se Klubi i Prodhuesve të Kosovës kërkon reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kërkojmë që prodhimet e Kosovës të kenë qasje në tregun e Serbisë por kjo nuk po ndodhë”.

Për më shumë, ndiqeni videon e mëposhtme: