Pacolli zhvleftëson Platformat e liderëve, sheh zgjedhje vitin e ardhshëm

E publikuar: 28/04/2018 16:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njëri prej njerëzve që kishte ndihmuar formimin e Qeverisë, Behgjet Pacolli ka dalë kundër Platformave të prezantuara nga Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Isa Mustafa. Ka thënë se secili po mendon për pozitën e vet e jo për Shtetin. Sipas tij, Kosova duhet të punojë për liberalizim vizash, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe përmbylljen e dialogut me Serbinë. Në këtë situatë, Kryetari i AKR’së s’i sheh seriozë liderët t’i ftojë në një tryezë siç po bëjnë partitë tjera. Paralajmëron zgjedhje vitin e ardhshëm.
Behgjet Pacollit po i duken joserioze dhe të padobishme tri strategjitë e prezantuara nga liderët e pushtetit dhe opozitës për të pasur unitet në temat e mëdha.

Po i sheh si veprime që humbin kohë dhe po bëhen për qëllime personale.

Madje, po thotë se Veseli, Haradinaj e Mustafa po bëjnë gara politike në mënyrë të heshtur, përmes prezantimit të dokumenteve, që nuk kanë qëllim zgjidhjen e problemeve.

“Unë besoj se është një konkurrencë e heshtur në mes të liderëve partiakë që më tepër të thonë diçka se secili prej tyre i e di se nuk ka ofruar asnjë gjë e cila do t’i ndihmonte kauzës tonë”, ka thënë Pacolli, të shtunën për Express.

“Platformat janë për interesat e tyre. Ka më tepër show se substancë”, ka shtuar ai.

Reagimi i Pacolli ka ardhur pas prezantimit të Platformave dhe Tryezave të mbajtura nga PDK, LDK e AAK.

Në këto dokumente e takime janë përmendur disa tema që duhet çuar përpara. Zgjedhjet nuk janë opsion.

Ndërkohë, Zëvendëskryeministri po e përmend për herë të parë se Kosova duhet të shkojë vitin e ardhshëm në zgjedhje të reja. Por, se paraprakisht, thotë se duhet të kryhen tri tema.

Sipas tij, së pari duhet të kryhet reforma për Ligjin e Zgjedhjeve, procesi i liberalizmit dhe pastaj përmbyllja e dialogut me Serbinë.

“Qeveria duhet te garantojë agjendë të qartë, të paanshme dhe profesionale zhvillimore. Do të thotë të investohet aty ku drejtpërdrejt ndikohet në përmirësimin e jetës se qytetarëve. Mos të harxhohet buxheti me hamendje dhe ad hoc, por të krijohen prioritetet dhe investimet kapitale duhet të jenë gjithëpërfshirëse”, ka thënë Pacolli.

Sipas tij, pas përmbushjes së këtyre tri pikave, atëherë, vendi mund të shkojë në zgjedhje dhe me Ligjin e Ri Zgjedhor këto zgjedhje do të prodhonin ndryshim, gjegjësisht një Qeveri më të fortë nga numrat dhe të ecet përpara.

“Tani për tani do të ishte platforma më e drejta që ne të bashkohemi dhe t’i zgjidhim problemet që i ka tani Kosova. E këto janë: që të ndodhë liberalizimi i vizave këtë vit; t’i ndihmohet Presidentit dhe çdokujt që do të udhëheqtë dialogun me qasjen e tyre konstruktive dhe me bagazhin politik dhe strategjik në mënyre që dialogu të përmbyllet këtë vit me Serbinë. Të arrijmë te marrëveshja e paqes”, ka shtuar ai.

Në çfarëdo situate tjetër të shkuarjes në zgjedhje, Pacolli e sheh si fatale për Shtetin dhe formim edhe të një Qeverie tjetër të dobët.

“Çdo veprim tjetër do te jete fatal për Kosovën për arsye sepse bie fluksi i kërkesave për ndryshime është tepër i madh dhe nuk mund të rrihet duarkryq”, ka shtuar ai.

Pacolli si pjesë e Qeverisë ka bërë thirrje të hartohen prioritet qeveritare dhe të mos harxhohet buxheti pa u planifikuar dhe gjithëpërfshirës.

Zëvendësi i Ramush Haradinajt në Qeveri ka lëshuar kritika për zyrtarët e Shtetit që po udhëtojnë nëpër vende të ndryshme dhe nuk po arrijnë kurrfarë rezultatesh. Ka thënë se një praktikë e tillë duhet të përfundojë.

“Sot nëpër botë udhëtojnë përfaqësues të institucioneve, ministra zëvendësministra e drejtorë, me paratë e buxhetit dhe nëse krahason arritjet ato nuk janë proporcionale. Unë shpresoj që udhëheqësit e qeverisë duke më përfshirë edhe mua do të marrin masa ndaj kësaj dukurie”, ka shtuar ai./GazetaExpress/