Pacolli kishte thënë se s’ka tradhtuar ndonjëherë, tash ka dhënë ultimatum

E publikuar: 10/08/2017 20:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këtë garanci ia kishte dhënë kreu i AKR-së, Begjet Pacolli, koalicionit LAA ditën e regjistrimit si deputet në Kuvendin e Kosovës.

Por të mërkurën mbrëma, Pacolli, në një intervistë për televizionin publik, u ka dhënë afat prej 10 ditësh VV-së dhe LDK-së që të lidhin koalicion për formimin e qeverisë.

Një ultimatum të tillë, i pari i AKR-së e ka përsëritur edhe në profilin e tij në Facebook.

“Unë nuk bëj ultimatum, ultimatumin e vërtetë për zgjidhjen e krizës e përcakton ekonomia: e përcaktojnë humbjet dhe dëmi ekonomik që po i shkaktohet Kosovës çdo ditë (vetëm deri tani 138 milionë euro më pak vetëm nga FMN-ja). Unë thjesht dua të shoh lëvizje politike nga LDK-ja dhe VV-ja që të formalizojnē marrëveshjen që do t’i jepte fund krizës politike”, thuhet në njërën pjesë të postimit të tij në Facebook.

Ultimatumin e Pacollit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka quajtur vetëm propozim dhe se po pret dështimin e PAN-it për të formuar qeverinë, për të ndërmarrë hapat e ardhshëm.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re ka shtuar po ashtu se për AKR-në është me rëndësi që sa më shpejtë të formohen institucionet e shtetit dhe se partia e tij nuk ka ndërruar pozicionin e vet.