Pacolli fton bizneset turke të rrisin investimet në Kosovë

E publikuar: 27/10/2017 14:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, e hapi Forumin e biznesit,Turqi – Kosovë, së bashku me Ministrin e Zhvillimit të Turqisë, Lütfi Elvan, dhe në prezencën e shumë kompanive, si nga pala turke, por edhe nga ajo e Kosovës, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Me këtë rast, Pacolli i ka vlerësuar investimet e deritanishme turke në Kosovë, duke i bërë thirrje atyre, që investimet turke në Kosovë të rriten edhe më shumë dhe për këtë ai ka theksuar përparësitë që ofron tregu i Kosovës, afërsia në mes dy vendeve dhe dy popujve, pozicioni gjeografik i Kosovës më afër Evropës, lehtësimi i procedurave për të bërë biznes në vendin tonë dhe Ligjin për Investime Strategjike.

Duke vlerësuar Kosovën si një parter të rëndësishëm tregtar, që ka bërë reformat ë rëndësishme për zhvillim ekonomik gjatë viteve të fundit, Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Turqisë, Lütfi Elvan, ka theksuar se investimet e deritanishme turke në Kosovë merren si shembull edhe për vendet e tjera.

Ai gjithashtu, i bëri ftesë kompanive turke që të rrisin edhe më shumë investimet e tyre në Kosovë, duke vlerësuar se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në mes Kosovës dhe Turqisë, i jep përparësi kompanive turke në raport me kompanitë konkurrente nga rajoni dhe të cilat pastaj nga Kosova mund të kenë qasje edhe në tregun e Bashkimit Evropian, por, edhe tregje të tjera, në të cilat Kosova mund të eksportojë produktet e tyre.