Pacolli e shtynë për në pjesën e parë të vitit 2018 lëvizjen pa viza për kosovarët

E publikuar: 08/12/2017 21:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë 195 shtete në botë. Por kosovarët pa viza mund të lëvizin vetëm në 6 prej tyre.

Sipas informacioneve zyrtare në faqen e internetit të MPJ-së, shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në këto vende: Shqipëri, Turqi, Maqedoni, Mali të Zi, Serbi dhe Ishujt Maldive. Por situata do të ndryshonte nëse Kosova do ta fitonte liberalizimin e vizave.

Listës prej 6 shteteve në të cilat aktualisht mund të udhëtohet lirshëm me dokumente të Kosovës, do t`i shtoheshin edhe 26 të tjera të zonës Schengen, me përjashtim të Spanjës e cila nuk e njeh as pavarësinë dhe as dokumentet e Kosovës, raporton Televizioni publik.

Liberalizimi do të sillte lëvizjen e lirë në këto shtete: Austri, Belgjikë, Republikën Çeke, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lihtenshtajn, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Norvegji, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni, Suedi dhe Zvicër.

Pavarësisht situatës së tanishme kur partitë parlamentare kanë mospajtime për ratifikim të marrëveshjes për demarkacionin, si kusht për liberalizim të vizave, kryediplomati Behgjet Pacolli beson se në pjesën e parë të vitit 2018, kosovarët do të lëvizin lirshëm.

Por që liberalizimi të ndodhë, Pacolli deklaron se pavarësisht kushtit të padrejtë të vendosur nga Komisioni Evropian për Kosovën, marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi duhet të ratifikohet në Kuvend.

Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk ka regjim të lirë të vizave. Liberalizmin e tyre, Serbia, Maqedonia e Mali i Zi e kanë fituar në vitin 2009, kurse Shqipëria e Bosnje e Hercegovina në vitin 2010.

Kujtojmë se kryeministri Ramush Haradinaj, shefi i Pacollit në ekzekutiv kishte thënë se liberalizimi i vizave do të vjen në 3 mujorin e parë të qeverisjes së tij. Qeveria Haradinaj është në prag të 100 ditëshit.