Pacientët rrezikohen nga përdorimi i barnave false – Vetëm 24 raportime u dërguan në MSh

E publikuar: 23/02/2023 12:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Oda Ekonomike Amerikane (OEAK) ka mbajtur tryezë diskutimi me temën “Parandalimi i barnave të falsifikuara: Fakte dhe shifra”. Me këtë rast, u vlerësua lartë shtimi i buxhetit në shëndetësi, teksa u kërkua më shumë punë në parandalimin e barnave të falsifikuara, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se rrezikshmëria nga blerja e barnave të falsifikuara është shumë e madhe e se shumë njerëz vdesin si pasojë e kësaj. Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se vetëm 24 raportime janë bërë gjatë dy viteve të fundit. Shumë pak raportimet u bën nga mjekët, ndërsa vetëm një nga farmacisti i spitalit.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, tha se MSh është duke përmbyllur kornizën ligjore sa i përket rregullave, që ka të bëjë me prodhimin dhe përcaktimin e çmimit të barnave.

“Tashmë grupi punues ka përfunduar punimet dhe së shpejti do të përfundojë edhe diskutimet me individë të ndryshëm lidhur më këtë çështje. Ky vit është sikur asnjëherë më parë me një buxhet goxha të madh për shëndetësi. Një hap tjetër kemi bërë në monitorimin e këtij tregu. Ndërsa për temën e sotme,  që është falsifikimi i barnave, ndikon drejtpërdrejtë tek shëndeti publik”, tha Berisha.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, shpreson që në mandatin e tretë të kësaj Qeverie, të sillet për votim Ligji për Barnat.

“Ajo çka është parë deri me tani mendoj dhe shprehet se ka të meta të mëdha dhe kush është ai që mashtrohet është gjithmonë konsumatori apo qytetari i cili bie nën juridiksionin e Ministrisë së Shëndetësisë. Gjendja ekonomike e rëndë në Kosovë dhe qytetarët të shikojnë mundësitë më të ulëta për të blerë barna. Ne kemi provuar edhe këtë mandat përkundër vullnetit të shumicës që të sjellim ligje për barna dhe për shëndetësi, shpresojmë që në vitin e 3-të kjo Qeveri do të punojë në këtë drejtim”, tha Zemaj.

Dr. Pius Waldmeier, Kryesues i Hulumtimit & Zhvillimit, “Hoffman-La Roche” tha se kanë shpenzuar 42 milionë euro për të krijuar barna të reja dhe se merren veprime konkrete kundër falsifikimit të tyre.

“Kemi shpenzuar rreth 42 milionë për të krijuar barna të reja dhe për të ndihmuar pacientet. Ne mundohemi të mbrojmë pacientët sa më mirë që mundemi por edhe të mbrojmë nga krijimi i produkteve te falsifikuar. Nëse janë false ndërmarrim veprime konkrete duke kontaktuar organizata të pacienteve për barnat e falsifikuara që te mund të merren hulumtime për këto”, tha Waldmeier.

Ai tha se qëllimi i tyre është që të zbulohen mallrat e falsfikuara para se të mbërrijë tek pacienti.

“Ne mundohemi të implementojmë shumë projekte, ne duhet të gjejmë të zbulojmë mallin e falsifikuar para se të shkojë të pacienti pasi ky është qëllimi, të sigurohemi që barna që merr pacienti është e sigurt”, tha Waldmeier.

Ai përmendi edhe faqet e internetit ku tha se blerjet online të produkteve farmaceutike është e rrezikshme dhe se shumë njerëz vdesin nga barnat e falsifikuara.

“Në vitin e kaluar në 80 mijë faqe është ofruar produkti, mos blini produkte nga interneti sepse është shumë e rrezikshme. Ne nuk mund ta ndalojmë falsifikim në gjithë botën por mund ta kontrollojmë zinxhirin e furnizimeve tona qe mundohemi ta bëjmë sa më të sigurte që mundemi. Shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se 1 milion njerëz vdesin nga barnat e falsifikuara, jemi munduar ta parandalojmë dhe ta luftojmë por këtu vit pas viti 1 milion persona vdesin por kjo është e papranueshme dhe duhet të luftojmë që ta parandalojmë, kjo shifër është dhënë nga OBSH”, u shpreh ai.

“Po është shumë e vështirë të parandalohet se ka shumë shifra apo shuma qe hyjnë aty shumë biznese. Janë 50 mijë farmaci online, shumica e produkteve online janë false dhe kjo është për të ardhur keq”, u shpreh tutje ai.

Selvete Shuleta-Qehaja, udhëheqëse e Divizionit, Ministria e Shëndetësisë, tha se pak raportime vendore ndodhin nga mjekët dhe farmacisti i spitalit. Sipas saj, vetëm 24 raportime janë bërë për falsifikim të barnave.

“Në vitin 2021. ka pasur vetëm 30 raporte, ndërsa në 2022 ka pasur vetëm 11 raportime nga pacientet dhe mjekët. Në përgjithësi raportimet pranohen kryesisht nga personat lokal të FDF që veprojnë në Kosovë, me gjitha këto 24 raportime vendore që janë pranuar gjatë dy viteve të kaluara vetëm pak nga këto janë raportuar nga mjekët dhe vetëm një nga farmacisti i spitalit”, tha Qehaja.

Ajo gjithashtu theksoi se kur fletushka e barnave është në gjuhë të huaj rrezikohet pacienti.

“Barnat e falsifikuara është nga problematikat më të mëdha që ndikon tek pacienti, trajtohen barnat e falsifikuara, efektet anësore negative dhe trajtimi i shqetësimeve potenciale te sigurisë. Cilësia e falsifikimit keqpërdorimit i produktit origjinal këto të gjitha mund ta dëmtojnë pacientin. Pacienti rrezikohet nëse fletushka është në një gjuhë të huaj, p.sh në rastin kur mallrat janë të kontrabanduara”, tha Qehaja.