Pacientë të shtrirë në “United Hospital” janë prekur nga pasojat e një konflikti mes aksionarësh (Video)

E publikuar: 02/06/2023 23:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përplasjet në institucionin privat shëndetësor “United Hospital” mes aksionarëve të tij ka rrezikuar shërbimin ndaj pacientëve, thonë familjarët e tyre. Në orët e mëngjesit, të ditës së premte, sipas tyre, u është thënë që t’i largojnë pacientët nga aty dhe t’i dërgojnë në një spital tjetër. Aksionarë të spitalit janë Alfred Ibrahimi dhe kardiokirurgët Fatos e Arben Kojqiqi. Palët akuzojnë njëra-tjetrën për kërcënime, shkelje ligjore e abuzime me detyrat.

Pacientët e shtrirë në Repartin e Kardiokirurgjisë në “United Hospital” janë prekur nga pasojat e një konflikti të tre aksionarëve të spitalit privat. Familjarë të tyre, me të cilët ka biseduar KOHA, në kushte anonimiteti kanë thënë se të premten, në orët e hershme të mëngjesit, iu është kërkuar të zhvendoseshin nga spitali.

“Në mëngjes na kanë thënë largohuni prej këtu. Deri më tash trajtimi ka qenë shumë i mirë. Jemi të kënaqur. Vetëm sot pak u stresuam, se na thanë merrini, largoni pacientët, dërgojini në një spital tjetër. Njëri prej mjekëve i ka thirrur familjarët, për shkak se është duke u riorganizuar”, ka thënë familjari i një pacienti, që është shtrirë qe dy javë në këtë spital.

E një tjetër ka treguar se si terapia nuk i është dhënë me kohë pacientit meqë, sipas tij, depoja e barnave ka qenë e mbyllur.

Aksionarë të spitalit janë Alfred Ibrahimi dhe kardiokirurgët Fatos dhe Arben Kojqiqi.

Sipas vëllezërve Kojqiqi, Ibrahimi prej muajsh ka ndryshuar qasjen në spital duke larguar punëtorë e së fundmi duke i shkarkuar të dy nga pozita e drejtorit mjekësor dhe duke vendosur dikë tjetër në atë pozitë.

Arben Kojqiqi ka thënë se atyre u është ndaluar qasja te pacientët e gjatë ditës është marrë vendim pa i pyetur ata për pezullim të punës.

“Dje erdhëm këtu në spital. Isha unë këtu dhe aksesi elektronik mungonte. Normal që unë si aksionar kam të drejtë që të futem në spital se nuk mundet me më ndalu. Por hapja e dyerve lart ishte e pamundur. E kam njoftuar Inspektoratin e Shëndetësisë që ka pacientë dhe nëse mua nuk më lejohet futja brenda, përgjegjësia nuk është e jona. Kam ardhur e kam marrë koordinatoren dhe me familjarë kam shkuar në mëngjes i kam vizituar pacientët. Ndoshta nga presioni i Ministrisë së Shëndetësisë dikur pas dreke e kanë hapur aksesin e kartës”, ka thënë Kojqiqi.

Ai ka thënë se kanë kërkuar të merren masa nga Inspektorati Shëndetësor për veprimet e tij.

“Për fat të keq, pas disa raporteve që kanë dalë në media në muajin shkurt, të publikuara në Shqipëri për afera korruptuese, arrestimin e punëtorëve dhe shoferit të tij privat, qasja e tij në spital filloi të ndryshonte komplet, sidomos këto javët e fundit. Ka bërë shkelje skandaloze, shkarkime të punëtorëve pa kurrfarë të drejte ligjore, pa kurrfarë paralajmërimi siç parasheh Ligji i punës, ka nxjerrë me sigurim infermierë jashtë. Gjithë këta punëtorë kanë bërë ankesë në Inspektoratin e Punës. I ka bërë kërcënim bashkaksionarit tjetër”, ka treguar kardiokirurgu Kojqiqi.

Gjatë ditës në spital ka qëndruar edhe Inspektorati Shëndetësor. Aksionari Alfred Ibrahimi, që ka 95 për qind të aksioneve, ka njoftuar përmes menaxherit operacional të spitalit, Alban Zeka, se për shkak se është duke u marrë me Inspektoratin nuk mund të deklarohet, e Zeka ka hedhur poshtë pretendimet e dy mjekëve dhe të familjarëve të pacientëve.

Sipas Zekës, të dy mjekët kanë sabotuar punën duke mos pranuar në spital pacientë të rinj pas shkarkimit që, sipas tij, ka ndodhur shkaku i keqpërdorimit dhe abuzimit të vazhdueshëm të detyrës. Për këto ai ka thënë se është ngritur edhe kallëzim penal.

“Në ora 11 e natës dje doktori në fjalë ka pasur mundësi të shkojë dhe të vizitojë pacientin e tij. Qysh është e mundur kjo nëse ne ua kemi ndaluar qasjen… Depoja qëndron e hapur 24 orë dhe çdo moment kur ka mungesë të barnave në repartin ku është i shtrirë pacienti, aty e kanë obligim menjëherë me marrë furnizim dhe atë nuk e kanë bë me direktivat, kuptohet të mjekëve, mirëpo ne kemi intervenuar dhe jemi siguruar që pacienti menjëherë është shërbyer me atë që është kërkuar”, ka thënë Zeka.

Ai ka mohuar që gjatë së premtes të kenë pezulluar punën në spital dhe t’iu kenë kërkuar pacientëve të largoheshin nga aty.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne e kemi për obligim që në momentin që e shohim që për shembull nëse një pacient nuk mundet me iu ofru shërbimi, i cili është i domosdoshëm, ne e kemi për obligim që me u siguru që ai pacient me i marrë të gjitha shërbimet qoftë edhe nëse është e nevojshme për shembull transferimi në një spital tjetër. Mirëpo asnjëherë nuk iu është thënë që duhet patjetër të largohen. Pacientët të cilët janë të shtrirë në spital këtu vazhdohen të trajtohen, nuk ka asnjë pengesë në atë aspekt. Ne i kemi njoftuar që nëse është nevoja për t’u zhvendosur ne jemi të gatshëm… E jo që duhet me u largu, as edhe një moment”, ka thënë Zeka.

Avokati ka treguar përmbajtjen e kallëzimit penal ndaj të dy vëllezërve kardiokirurgë, që parasheh dëme në të hyrat e spitalit si pasojë e moskomunikimit normal dhe të rregullt, nxjerrje të vendimeve në kundërshtim me statusin e spitalit etj.

Pas problemeve mes aksionarëve që kanë reflektuar në kujdesin ndaj pacientëve, KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë, por kanë munguar përgjigjet gjatë ditës.