Osmani takohet me Orav, paralajmërohen një sërë vizitash të zyrtarëve të lartë të BE-së në Kosovë

E publikuar: 03/03/2025 17:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin ka folur lidhur me procesin zgjedhor dhe hapat e mëtejshëm për konstituimin e institucioneve të reja.

Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca bëhet e ditur se në javët dhe muajt në vijim në Kosovë priten një sërë vizitash të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, shkruan InfoSot.

“Këto vizita do të jenë një mundësi e mirë për forcimin e mëtejshëm të  bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe BE-së, veçanërisht në fushat kyçe të zhvillimit dhe integrimit evropian”, thuhet në njoftim.

Edhe në këtë takim, Osmani ka kërkuar largimin e masave ndëshkuese që BE’ja ka vendosur ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të padrejta.

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të çuar përpara prioritetet strategjike të vendit, me fokus të veçantë në forcimin e institucioneve demokratike dhe përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Kosovës.

Me këtë rast, Presidentja Osmani ripotencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat përfundimisht po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.