Osmani pas kritikave del në terren: Prioritet është shpëtimi i jetës së qytetarëve

E publikuar: 20/01/2023 18:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja Vjosa Osmani po viziton vendet e prekura nga vërshimet katastrofale. Pas Klinës, ajo po viziton Skenderajn, ku foli për Klan Kosova rreth gjendjes së tanishme.

“Me kryetarin e komunës i vizituam zonat e prekura nga këto vërshime, do të jemi edhe në Mitrovicë. Që nga mbrëmë jemi vazhdimisht në kontakt me institucionet relevante. Prioritet mbi prioritetet ka qenë shpëtimi i jetëve dhe tani do të punojmë me komunat që të sanohet dëmi që është shkaktuar”, tha Osmani.

Osmani tha se siç dëgjoi në Klinë dhe Skenderaj, këto janë vërshime që nuk janë parë ndonjëherë“Natyrisht dëmi është i madh por do t’i bashkojmë forcat dhe do t’ia dalim dalim mbanë”, u shpreh presidentja.

“Jemi në komunikim me FSK-në, përfshirë gjatë ditës, dhe siç e dini, FSK ka njësitet më të specializuara për kërkim-shpëtim. Prioritet është shpëtimi i jetëve qytetare, kudo dhe kurdo që ka nevojë, ushtria të jetë at”, shtoi e para e vendit.

Për vizitën e presidentes Osmani në Klinë dhe Skenderaj, mediet (e tjera) nuk kanë qenë të njoftuara.

Osmani u kritikua dje dhe sot gjatë ditës se jo që nuk kishte vizituar ndonjë nga komunat e prekura, por madje nuk e kishte thënë asnjë fjalë.