Osmani: Oferta e Kurtit e shpien garën ndërmjet nesh, kurse ne jemi në garë me PAN-in

E publikuar: 30/08/2019 17:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se oferta e Albin Kurtit dhe e Vetëvendosjes e orienton garën në mes të këtyre duy subjekteve, teksa ka folur pas mbledhjes që kjo parti ka mbajtur për ta shqyrtuar ofertën e Kurtit.

“Ne si LDK kemi vlerësuar gjithë punën dhe angazhimin në mirëbesim që e kemi bërë për arritjen e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe duam sërish edhe sot që t’i bëjmë ofertë atyre për bashkëpunim të sinqertë, për bashkëpunim në mirëbesim e jo bashkëpunim në garë”, ka thënë Osmani.

“Ajo që është propozuar sot nga VV-ja e shpie garën ndërmjet nesh, kurse ne jemi në garë me PAN-in. I ftojmë edhe njëherë ta rimendojnë këtë ofertë tonën deri sonte kur edhe mbyllet afati për lidhjen e koalicioneve, sepse raportet tona duhet të ndërtohen duke i besuar njëri-tjetrit, e jo duke e luftuar njëri-tjetrit”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se “nuk mund ta shpiejnë garën në mes saj dhe Albin Kurtit, apo në mes të aktivistëve e simpatizantëve të LDK-së dhe atyre të VV-së.

“Kemi tejkaluar gjithçka deri tani, ndryshimet programore, ideologjike, edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me pozicionet qoftë në listë qoftë në Ministri. Prandaj i ftojmë që sinqerisht ta rimendojnë pozicionin e tyre”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se lista e propozuar nga Vetëvendosje është e pa krye dhe pa orientim.

Ajo tutje ka shtuar se janë të gatshëm t’i tejkalojnë dallimet por që të vazhdojnë me propozimin që kandidati për kryeministër të jetë nga radhët e LDK-së.

“Përgjigjen e kemi dhënë të qartë, ne shpresojmë që LVV do ta rimendojë qasjen e vet dhe ta pranojë ofertën tonë që të jemi në koalicion të përbashkët me kandidate të LDK , sepse një listë siç u tha sot që është pa krye është edhe pa orientim. Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se për çka po votojnë dhe një gjë e tillë është e mundur vetëm nëse lista e përbashkët ka kandidat të qartë për kryeministër. Çdo qasje tjetër e shndërron tërë garën në këtë proces zgjedhor në garë të brendshme dhe siç e thash lufta jonë, gara është me partitë që e kanë kapur shtetin dhe ne nuk duhet këtyre partive që e kanë kapur shtetin tua mundësojmë një situatë ku krijojmë luftë apo garë mes aktivistëve tanë. Përkundrazi kërkojmë bashkëpunim të sinqertë, ne kërkojmë që të kemi bashkëpunim që të kemi bashkëpunim në mirëbesim dhe jo të bëjmë luftë me njëri tjetrin dhe kjo është e qartë që në një situatë të tillë jemi të gatshëm të tejkalojmë dallimet por të vazhdojmë me propozimin tonë që të kemi kandidaten për kryeministre nga radhët e LDK-së”, tha ajo.

E pyetur për mundësinë që partitë tjera të lidhin koalicione në minutat e fundit ajo tha se ato e kanë humbur besimin e qytetarëve.

“Pavarësisht se çka bëjnë partitë e tjera ne serish do të fitojmë. Ata nuk e kanë besimin e qytetarëve qoftë të ndarë, qoftë të bashkuar, qytetarët janë bindur pas 20 vitesh që ata ti qojnë në opozitë dhe atë për kohë te gjatë”, tha Osmani.