Osmani: Nëse përsëriten situatat sikurse dje, detyrohem të mbrojë integritetin e KQZ-së

E publikuar: 23/01/2021 18:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka kritikuar Komisionin Qendror Zgjedhor, e sidomos kryetaren e saj, Valdete Daka.

Ajo në një adresim, ka thënë se nëse ndodh që partitë dhe qytetarët të ballafaqohen sërish me atë çfarë ndodhi të enjten, kur disa parti nuk u certifikuan, do të detyrohet të marrë të gjitha masat sipas përgjegjësive që ka.

“Do të detyrohem të marrë të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe të këtij procesi zgjedhor, ashtu siç e parasheh Ligji për zgjedhjet dhe Kushtetuta e vendit. Mbajtja e zgjedhjeve të lira është parakusht i funksionimin demokratik të një vendi. Prandaj këtë test të demokracisë, duhet ta kalojmë të gjithë së bashku me besim dhe maturi”, ka thënë Osmani.

Ajo ka kritikuar kryetaren Daka, se nuk është e thirrur të shtyjë përpara agjenda partiake dhe të ngre kurthe për partitë tjera.

Të enjten, KQZ-ja nuk miratoi listat e disa subjekteve politike, me arsyetimin se është bazuar në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, që nuk lejon kandidimin e atyre që janë të dënuar për vepra të ndryshme penale në tri vitet e fundit.

Ky vendim ka prekur edhe VV-në, pasi lideri i saj, Albin Kurti, është i dënuar me kusht për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Vjosa Osmani me iniciativën e saj qytetare, i është bashkuar VV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.