Osmani në takim me ambasadorin e Gjermanisë: Serbisë t’i dërgohen mesazhe të qarta se s’do të tolerohet nxitja e dhunës në veri

E publikuar: 03/08/2022 18:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, me të cilin ka biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon.

Siç njofton Presidenca, Osmani ka theksuar se në raport me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova është gjithnjë e gatshme që të ndërmarrë hapa, të cilët kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit.

Poashtu, Presidentja Osmani ka potencuar se është me rëndësi t’i dërgohen mesazhe të qarta Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar se nuk do të tolerohet retorika e saj nxitëse dhe veprimet e saj të dhunshme nëpërmjet strukturave ilegale në veri të Kosovës.

Në takim u diskutua edhe për kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe punën e vazhdueshme në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe diplomacisë për ta përmbyllur me sukses këtë proces.

U diskutua, poashtu edhe rëndësia e përmbylljes sa më parë të procesit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nikoqir i të cilit do të jetë Presidentja Osmani në muajin tetor të këtij viti në Prishtinë./

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!