Osmani e dekoron ish-presidenten zvicerane Calmy-Rey për kontributin në pavarësinë e vendit

E publikuar: 07/09/2022 13:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Calmy-Rey-Osmani

Presidentja Vjosa Osmani e ka dekoruar me medalje “Urdhri i Pavarësisë” ish-presidenten e Zvicrës, Michelin Calmy-Rey, për kontributin e saj në procesin e pavarësimit të Kosovës dhe mbështetjes e vazhdueshme për vendin, raporton Ekonomia Online.

Osmani e ka falënderuar ish presidenten për kontributin e saj të vazhdueshme për Kosovën si në pavarësimin e shtetit, por edhe në proceset e tjera.

“Kjo medalje i jepet për kontributin e çmuar që zonja Calmy-Rey ka dhënë për pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve miqësore në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane”.

Përderisa Calmy-Rey tha se për të është ditë e veçantë që të nderohet me dekoratë nga presidentja Osmani.

Ajo ka shtuar se është punua shumë deri në arritjen e pavarësisë dhe se është e lumtur që shteti ka ecur përpara.

Sipas saj, ka ende punë për t’u bërë, për çka edhe iu drejtua Osmani se nuk e keni të lehtë në këtë fazë, duke marrë për bazë proceset që po kalon Kosova.

“Faleminderit znj. presidente. Është nder i madh për mua ta pranoj këtë dekoratë nga shteti i Kosovës. Dua të shpjegoj se si e kam përjetuar ditën e pavarësisë së Kosovës. Siç e dini unë isha e përfshirë në procesin e pavarësisë së Kosovës sepse Zvicra mendonte se para se të thonim ‘standardet para statusit’, duhej ta kthenim ndryshe ‘statusi para standardeve’ në mënyrë që njërzit në Kosovë të kishin përgjegjësi ndaj vendit të tyre”.“Në ditën e pavarësisë së Kosovës, unë, isha duke udhëtuar në Zvicër që të isha pjesmarrëse në një ceremoni në një kishë katolike shqiptare në një qytet të vogël në Zvicër të quajtur Wiel. Nuk e dija se do të ishte ditë speciale sepse ishte planifikuar për muaj të tërë dhe siç e dini protokolli i parashikon këto gjëra shumëkohë më parë. Por kur shkova në stacionin e trenit u mirëprita nga prifti shqiptar i kishës katolike dhe ai më shikoi dhe më tha ‘Zonja Calmy-Rey, është një mrekulli”. I thashë çfarë? Më tha: ‘Është një mrekulli, është dita që Kosova shpalli pavarësinë dhe ju keni ardhur këtu, është një mrekulli”.

Ajo tutje theksoi se Zvicra ishte ndër shtetet e para që ka folur për pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit në New-York, teksa ka thënë se sot nuk është e lehtë të jesh në një rajon të tillë në Ballkan.

“Pas kësaj, jam cilësuar si një avokate në arenën ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës. E kjo më kujton mua luftën e zvicranëve për liri në shekullin e 13-të. E sot nuk është e lehtë për ju, është e vështirë për ju, e di, sepse jeni këtu në Kosovë, në një rajon me tensione mes Lindjes e Perëndimit. Ju mund të llogarisni tek ne, ne jemi të përfshirë këtu edhe me trupa zvicerane, jemi këtu të përfshirë konkretisht, duke më përfshirë edhe mua, pavarësisht se nuk jam më pjesë e autoriteteve shtetërore zvicerane”.