Orav pas takimit me Rutten: Dialogu është e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm

E publikuar: 12/03/2025 10:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav ka njoftuar se është takuar të martën në Kosovë me shefin e NATO-s, Mark Rutte dhe zëvendësen e tij, Radmilla Shekerinska.

Në këtë takim, Orav theksoi se i konfirmoi mbështetjen e BE-së për misionin e NATO-s në në Kosovë, KFOR-in.

“Përballë sfidave gjeopolitike, qëndrimi në rrugën drejt BE-së është vendimtar. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm”, shkroi ai në një njoftim në X.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte gjatë qëndrimit në Kosovë pati takime të ndara edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Ato u cilësuan si rikonfirmim i angazhimit të Kosovës për siguri në rajon dhe më gjerë.

Mes tjerash, në Prishtinë ai siguroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe presidenti Donald Trump, mbeten të përkushtuara në KFOR dhe në NATO.

Teksa foli për dialogun Kosovë-Serbi, shefi i NATO-s tha se palët duhet të bëjnë kompromise, ani pse një gjë e tillë siç tha ai kërkon vendime të vështira.

“Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët që të zgjedhin diplomacinë para dhunës. NATO do të vazhdojë të mbështes plotësisht normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE-ja. Është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura”.