Opozita në Serbi do referendum rreth propozimit evropian për pajtim me Kosovën

E publikuar: 14/03/2023 20:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Popullore e Serbisë, që e ka kryetar ish-ministrin e Punëve të Jashtme të këtij shteti , propozoi në parlamentin serb nismën për të mbajtur një referendum.

“Pyetja e propozuar në referendum që i prezantuam Kuvendit të Serbisë, e me të cilën duhet të pyeten qytetarët është: A e pranoni nënshkrimin dhe zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e që është i ashtuquajturi propozimi ‘gjermano-francez’”, tha Miroslav Aleksiq, deputet e nënkryetar i PPS-së, raporton Klan Kosova.

Ndërkohë sikur të hënën, edhe të martën në Beograd qëndroi i dërguari i posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në krye të krejt bisedave në Beograd që i kishte me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe një pjesë të partive opozitare që konsiderohen pro-evropiane, është propozimi evropian për ujdi bazë mes Kosovës dhe Serbisë, zbatim-plani i së cilit të diskutohet në Ohër më 18 mars.

Lajçaku citohet t’i ketë thënë radio-televizionit publik serb (RTS) se propozimi në tavolinë është për normalizim të raporteve mes Kosovës e Serbisë e jo “kapitullimi i ndonjë pale në negociata”.

Emisari po ashtu tha se nëse nuk ka zbatim të ujdisë për Asociacionin, atëherë s’do ketë as marrëveshje.

Pas Lajçakut, në Serbi të mërkurën e në Kosovë më pastaj, pritet të vijë për vizitë i dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. /Klankosova.tv