“Olive Medical” laboratori i parë në Kosovë që akreditohet me standardet ISO 15189, për ofrim të shërbimeve cilësore

E publikuar: 19/05/2022 18:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Laboratori ‘Olive Medical’ u akreditua sot nga Drejtoria e Akreditimit të Kosovës sipas ISO standardeve 15189, duke u bërë kështu laboratori i parë në vend me këtë lloj akreditimi për ofrim të shërbimeve cilësore.Në ceremoninë e akreditimit, Përfaqësuesja e Olive Medical, Antigona Qenaj-Sejdiu, theksoi se ky laborator është institucioni më kredibil dhe profesional në cilësinë e shërbimeve shëndetësore që ofrohen aty.
Qenaj-Sejdiu duke treguar se ky institucion shëndetësor privat tashmë numëron rreth 300 profesionistë shëndetësorë dhe staf mbështetës, tha se gjithmonë qëllimi i tyre ka qenë të ofrojnë shërbime të standardeve evropiane dhe se sot me akreditimin e këtij laboratori sipas standardeve ISO 15189, ky qëllim u arrit.

“Sot Olive numëron rreth 300 profesionistë shëndetësorë dhe staf administrativ dhe është një nga institucionet më kredibile sa i përket cilësisë dhe shërbimeve mjekësore. Që kur kemi filluar punën, motoja jonë ka qenë të ofrojmë shërbimet më të mira dhe cilësore për qytetarët, duke rritur vazhdimisht e tyre te shërbimet shëndetësore në vend. Në këtë drejtim ‘Olive’ ka filluar procesin e akreditimit që nga viti 2017, kur edhe është themeluar si institucion, dhe me të filluar procesi i akreditimit për laborator me ministritë përkatëse dhe ndihmën e miqve nga BE qëllimi ynë ka qenë që ‘Olive’ të ofrojë standarde të nivelit evropian… ‘Olive’ bëhet laboratori i parë i akredituar në Kosovë. Kjo përveç që është një nder dhe kënaqësi që ne si ‘Olive’ e ndjejmë është edhe një konstatim se kemi profesionistë të jashtëzakonshëm dhe kur kemi bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional shërbimet tona shëndetësore mund të arrijnë nivelet e vendeve të zhvilluara. Sot edhe në aspektin formal po vërtetohet me akreditimin e ‘Olive’ dhe slogani ‘Beso në më të mirët’ po merr edhe më shumë kuptim”, u shpreh ajo.

Ndërsa, Drejtoresha e laboratorit, Nerxhivane Gërguri tregoi se të gjithë së bashku me punë dhe përkushtim kanë arritur që të ofrojnë shërbime korrekte për pacientët e që puna e tyre nuk do të ndalet me kaq.

“Kemi arritur që të gjithë së bashku të përmbushim vizionin kryesor të ‘Olive’ që ka synim shërbimin sa më cilësor dhe korrekt të pacientë dhe njëkohësisht duke iu përmbajtur kritereve të përcaktuara me ISO 15189 të cilin sot po e kurorëzojmë. Ne nuk do të ndalemi me kaq, vazhdojmë së bashku duke besuar në më të mirët”, tha Gërguri.

E Daniela Clejanu, eksperte kryesore për Akreditim dhe Standardizim e quajti arritje të madhe akreditimin e laboratorit “Olive Medical” sipas ISO standardeve.

Clejanu tha që me punë të mirë padyshim që arrihen të gjitha, e këtë e bëri laboratori Olive.

“Kjo është një arritje shumë e madhe për të gjithë e falënderoj laboratorin dhe gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë për t’u akredituar. Jam shumë e lumtur të shoh që punën që kemi filluar pas akreditimit. Puna po vazhdon, objektivat e këtij projekti po vazhdojnë dhe po arrihen. Ju falënderoj në emrin tim personal dhe kolegëve që punoj. Kjo është diçka e re për laboratorin e juaj, por unë qysh nga fillimi kam qenë e bindur se me punën tuaj cilësore do të arrini por tash e keni edhe konfirmimin”, theksoi ajo.

Kurse, Ardiana Shala nga Drejtoria për Akreditim e Kosovës, theksoi se “Olive Medical” po bëhet laboratori i parë mjekësor i akredituar ndërkombëtarisht me ISO 15189 në vend.

Shala shtoi se ky akreditim vie pas punës cilësore shumë vjeçare të stafit shëndetësor dhe jo vetëm të Olive.

“Shërbimi i akreditimit ka filluar që nga viti 2006, dhe në saje të punës dhe angazhimit të vazhdueshëm Drejtoria për Akreditimit të Kosovës ka akredituar deri më tani 38 laborator testues sipas standardit ISO 17025 dhe 22 trupa inspektues sipas standardit ISO 17020. Sot kam kënaqësinë dhe nderin t’iu informoj se Drejtoria për Akreditimit të Kosovës ka arritur të akreditojë laboratorin e parë mjekësor në Kosovë sipas standardit ISO 15189. Akreditimi sipas këtoj standardi mbështet besimin dhe cilësinë e laboaratorëve mjekësorë nëpërmjet një procesi që verifikon integritetin, paanshmërinë dhe kompetencën e tyre. Kompetenca është e rëndësishme në cdo fushë, por shumë më e rëndësishme në sferën e kujdesit shëndetësor ku sistemi i pacientit është i rrezikuar nga sëmundjet ose lëndimet”, u shpreh Shala.

E padyshim që në këtë ceremoni nuk munguan edhe fal nderimet për bashkëpunëtorët. E në shenjë falënderimi për ta u ndanë edhe mirënjohje nga laboratori Olive Medical.

Kujtojmë se ky laborator operon në Kosovës që nga viti 2017, duke ofruar shërbime laboratorike nga më të ndryshmet si biokimike, mikrobiologjike dhe patologjike me gamën më të gjerë të testeve-analizave.

E përveç kësaj ‘Olive’ ofron edhe shërbime pediatrike, neurologjike, obstetrikë gjinekologjike, urologjike, kardiologjike, pulmologjike radiologjike, alergeologjike e shumë shërbime të tjera shëndetësore.