OBSH për vaksinën: Të përfitojë çdo vend i botës

E publikuar: 14/11/2020 03:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka përshëndetur progresin e shpejtë drejt zbulimit të vaksinës për luftimin e COVID-19, por të premten ai insistoi se çdo vend duhet të përfitojë.

“Vaksina do të jetë mjet kryesor për kontrollimin e pandemisë dhe ne jemi të inkurajuar nga rezultatet paraprake të testeve klinike që u publikuan këtë javë”- tha Tedros.

Gjiganti farmaceutik amerikan Pfizer dhe partneri i tyre gjerman BioNTech njoftuan të hënën se testimi i vaksinës së tyre ka rezultuar 90% efektivë në fazën finale, ku janë përfshirë më shumë se 40 mijë njerëz.

“Asnjëherë në histori nuk ka ndodhur që një vaksinë të zhvillohet kaq shpejtë. Ne duhet të zbatojmë të njëjtën urgjencë që të sigurohemi se të gjitha shtetet përfitojnë nga kjo arritje shkencore”- vijoi Tedros.

Koronavirusi ka shkaktuar vdekjen e afro 1.3 milion njerëzve në të gjithë botën. Deri më tash, raportohet se janë regjistruar mbi 52.7 milionë raste me COVID-19. Sidoqoftë, këto shifra besohet se paraqesin vetëm një pjesë të shifrave reale të infektuarve, pasi shumë vende po testojnë vetëm rastet simptomatike ose rastet më të rënda./tch/