Nuk përjashtohet mundësia e votimit të fshehtë për Demarkacionin

E publikuar: 20/03/2018 16:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kuvendi i Kosovës sot nga ora 16:00 do të nisë seancën për ratifikimin e demarkacionit, e cila për miratim kërkon së paku 80 vota, ndërsa që në seancën e sotme nuk përjashtohet mundësia që të kërkohet një votim i fshehtë për këtë marrëveshje.
Ndonëse deri më tani, një praktikë e tillë në Kuvendin e Kosovës nuk ka qenë, ku votimi i projektligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare është votuar me votim të hapur, procedurlaisht, sipas njohësve të rregullores së Kuvendit një gjë e tillë mund të ndodh, nëse deputetët votojnë për një mënyrë të tillë të votimit.

Edhe më herët është folur një mundësia që Demarkacioni me Malin e Zi të votohet në mënyrë të fshehtë.

Por, sipas Artan Muratit nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitorin punën e Kuvendit, në seancën e sotme, mund të ndodh që të kërkohet një votim i fshehtë.

Ai për lajmi.net ka thënë se në bazë të rrethanave të krijuara për marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, shume deputetë kanë hezituar të votojnë.

Sipas tij, vota e fshehtë për demarkacionit mund të kërkohet për të shmangur tendencat që dikush të quhet hero, e dikush tjetër tradhtarë.

“Duke pasur parasysh edhe specifikat e gjendjes të marrëveshjes së demarkacionit nuk mund të hidhet poshtë edhe mundësia që deputetë të kërkojnë një votim të fshehtë, aq më tepër nëse merren parasysh se sa i ndarë është opinioni publik për këtë çështje dhe tendencat për të bërë hero dikë, apo quajtur tradhtarë dikë tjetër”, është shprehur ai për lajmi.net

Kuvendi i Kosovës sot do të tentojë që ta ratifikoj marrëveshjen e 26 gushtit të vitit 2015, për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ndërsa që kishte dështuar ta bëjë një gjë të tillë në tri seancat e kaluara.

Zyrtarë të koalicionit qeverisës PDK, AAK-Nisma dhe AKR, janë shprehur të bindur se demarkacioni kalon sot.

Kosova për afër tri vite është duke u përballur më demarkacioni, ratifikimi i së cilit është njëri nga kushtet e Bashkimit Evropian për heqje të vizave.

Ndërsa, për Artan Muratin, sikur të aplikohej mënyra e votimit të fshehtë demarkacioni do të kalonte edhe në të kaluarën, kur AAK e Nisma kundërshtonin këtë marrëveshje.

“Jam kogja i bindur që shumë deputetë do të kishin votuar shumë më herët demarkacionin nëse do të ishte votim i mbyllur, sepse është krijuar një situatë që edhe deputetët po hezitojnë ta votojnë këtë marrëveshje edhe për shkak të opinionit publik që ma herët kanë qenë shumë kundërshtues të marrëveshjes”, është shprehur Murati.

Marrëveshjen për demarkacionin vazhdon ta kundërshtoj Lëvizja Vetëvendosje, dhe po ashtu edhe deputetët e Grupit të Pavarur të Deputetëve të larguar nga Vetëvendosje.

Edhe Lista Serbe deri më tani është shprehur kundër votimit të kësaj marrëveshje./Lajmi.net/