Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që planifikonte të vidhte pyllin

E publikuar: 18/09/2024 17:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim E.G. për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se më 15 shtator në Llapushnik i pandehuri ka pasur armë me vete në veturën derisa po planifikonte të kryente vjedhje të pyllit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 15.09.2024 rreth orës 02:20 në fshatin Llapushnik – Berishë, Komuna e Gllogocit, i pandehuri E.G i cili ishte duke vozitur veturën në pronësi të B.G, i shoqëruar me dëshmitarin L.K, me të cilin ishin dakorduar që të kryenin vjedhje të pyllit, pa autorizim ka mbajtur në pronësi, kontroll ose poseedim armën e zjarrit pistoletë TT M-57 dhe dy karikator dhe 14 fishekë të cilat i kishte mbajtur në brez si dhe armën e ftohtë – thikë me gjatësi 18 cm, të cilat pas kontrollit të njëjtat i janë sekuestruar nga zyrtarët policor, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftim.

Gjykata e ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit është e domosdoshme pasi lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale, si dhe mund të kryejë vepër penale tjetër penale.