Një gjendje e përhershme e jashtëzakonshme në Francë?

E publikuar: 02/11/2017 13:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një ligj antiterror ka hyrë në fuqi në Francë duke i dhënë fund gjendjes dyvjeçare të jashtëzakonshme në vend. Kritikët thonë se ligji përmban shumë elementë të gjendjes së jashtëzakonshme.

E mërkura ishte dita e fundit e gjendjes së jashtëzakonshme në Francë. Ajo u vendos në këtë vend pas atentateve terroriste në Paris në nëntor 2015, që morën jetën e 139 vetëve. Tani dekreti i gjendjes së jashtëzakonshme zëvendësohet nga një ligj, që u jep autoriteteve fuqitë e nevojshme për “t’u përballur me kërcënimet terroriste duke i respektuar të drejtat qytetare”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron shkroi në twitter se po e mban premtimin e dhënë. “Një premtim i mbajtur: po i japim fund gjendjes së jashtëzakonshme në 1 nëntor duke forcuar sigurinë e qytetarëve tanë”, u shpreh Macron. Pas nënshkrimit të ligjit nga Presidenti Macron, Ministri i Brendshëm i Francës, Gerard Collomb tha se “rreziku terrorist mbetet i madh”. Pas kundërshtimeve në Parlament, u vendos që gati të gjitha kompetencat e reja të ligjit të përfundojnë automatikisht në fund të 2020-ës.

Macroni me veprime të ashpra

I zgjedhur në maj të këtij viti në postin e Presidentit të Francës, Emmanuel Macroni deklaroi në fushatën e tij elektorale se dëshiron t’ shfuqizojë dispozitat e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai citoi si mbështetje një raport parlamentar që tregoi se zgjerimi i kompetencave të policisë kishte sjellë vetëm rezultate “modeste” që prej sulmeve të Parisit.

Por që kur ka ardhur në pushtet, Macroni e ka ndryshuar pozicionin, duke reflektuar, nga njëra anë presionin që ndiejnë autoritetet franceze pas sulmeve terroriste me sfond islamist, të cilat u kanë marrë jetën 239 vetëve në dy vitet e fundit. Dhe nga ana tjetër për të kundërshtuar një perceptim që ngadalë po zë vend në Francë, se Macroni është një president i dobët.

Qeveria tani deklaron se kompetencat shtesë që i janë dhënë policisë kanë ndihmuar që të parandalohen më shumë se 30 sulme. Nën gjendjen e jashtëzakonshme, janë mbyllur 11 qendra fetare “për nxitje për të kryer akte terroriste”, ndërsa 41 individë janë vënë nën arrest shtëpie, sepse ushqenin bindje ekstremiste.

Ligji kritikohet

Franca është në Perëndim një nga synimet kryesore të goditjes nga “Shteti Islamik”. 30 përqind e sulmeve të kryera ose të parandaluara në Francë kanë lidhje me këtë grup ekstremist. Këtë e bëri të ditur Qendra për Analizën e Terrorizmit me seli në Paris.

Kritikët thanë se ligji do ta mbajë vendin në një gjendje të përhershme të jashtëzakonshme. Grupe të të drejtave të njeriut, e majta radikale dhe Front National i ekstremit të djathtë argumentojnë se masat rrezikojnë që t’i bëjnë kompetencat e jashtëzakonshme pjesë të ligjeve normale. Projektligji shkaktoi një debat të fortë në Parlamentin e Francës. Kritikët thanë se do të përdoret për të persekutuar minoritetet, veçanërisht myslimanët. Dy ekspertë të OKB-së gjithashtu e kritikuan ligjin për “përcaktimet e paqarta” që përmban.