Niveli më i lartë në dy muaj, rritet çmimi i naftës pas vendimit të BE-së

E publikuar: 31/05/2022 15:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Çmimet e naftës kanë arritur nivele të reja, pasi liderët e Bashkimit Evropian ranë dakord për ndalimin e importit të naftës ruse mbrëmë, shkruan BBC.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit mbi 123 dollarë për fuçi të martën, më e larta që ka qenë për dy muaj.

Çmimet e naftës dhe gazit janë rritur në muajt e fundit, të nxitura pjesërisht nga lufta në Ukrainë. Nafta e papërpunuar Brent është rritur më shumë se 70% gjatë vitit të kaluar.

Rusia aktualisht furnizon 27% të naftës së importuar të BE-së dhe 40% të gazit të saj, dhe çmimet e naftës u rritën përsëri pas lajmeve për embargon e fundit të BE-së.

Russ Mould, drejtor investimesh në AJ Bell, tha se çmimet po rriteshin sepse vendet evropiane tani duhet të gjejnë burime alternative të furnizimit.

Ndërkohë, rritja e kostos së jetesës kërcënon të pakësojë oreksin e disa vendeve të BE-së për sanksione të mëtejshme, të cilat mund të dëmtojnë gjithashtu ekonomitë e tyre.