Nisma thotë se do të ketë 2 ministri në Qeverinë e re, AKR-ja ende s’dihet

E publikuar: 25/04/2020 18:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shef i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, tha se janë afër arritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës ndërmjet LDK-së, AAK-së, Nisma Socialdemokrate, AKR-së dhe partive minoritare, i cili beson se deri të hënën do të arrihet marrëveshja.

Ndërsa, zyrtarë të AKR-së shprehen se ende nuk janë takuar me LDK-në për të biseduar rreth ofertës për bashkëqeverisje.

Deputeti i Nismës, Shala, për kosovapress ka treguar se nuk kanë kushte si subjekt që të futen në këtë koalicion, por shton se janë pajtuar me LDK-në që t’i kenë dy ministri në ‘Qeverinë Hoti’ që pritet të votohet në ditët në vijim në Kuvendin e Kosovës pasi të mandatohet Avdullah Hoti për kryeministër nga presidenti Hashim Thaçi.

“Ajo që është me rëndësi, është se në parim jemi pajtuar që të bashkëqeverisim bashkë me LDK-në, AAK-në dhe parti të tjera minoritare dhe AKR-në. Pasi që jemi duke bashkëpunuar për programin qeveritar, njëkohësisht edhe jemi në përfundim të rrumbullakësimit të ndarjes së dikastereve me parti të tjera. Besoj që shumë shpejt do të përfundon edhe kjo marrëveshje e plotë”, tha ai, duke shtuar se beson që marrëveshja arrihet deri të hënën.

Shala tha se “nuk kanë parashtruar kushte për koalicion”.

Ndërsa anëtari i Aleancës Kosova e Re, Fatmir Matoshi poashtu për kë tha se është një gatishmëri e LDK-së që AKR-ja me qenë pjesë e qeverisë, por ende nuk ka ndonjë ofertë për të biseduar sikur që kanë diskutuar me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

“Kemi ofertë nga LDK-ja me qenë pjesë e qeverisë së ardhshme, por ende nuk kemi biseduar, edhe pse LDK-ja dje ka pasur një sërë takimesh me parti të tjera, por ne ende jo. Pacolli nuk është në Kosovë, po presim ndoshta në javën që vjen të diskutojmë”, tha Matoshi.

Matoshi ka shtuar se pajtohen me kriteret që i ka vendosur edhe mandatari edhe LDK-ja për ta pasur një qeveri me njerëz të përgjegjshëm dhe pa aktakuza.

“Po ashtu do të ishte më mirë me qenë një qeveri jo e madhe. Për sa i përket çështjes së dikastereve, cilat synon AKR-ja me i udhëheqë, këtë s’mundem me thënë sot pa diskutuar me LDK-në. Ne presim një ofertë prej LDK-së, sepse ata janë ata janë duke ndërtuar Qeverinë… Nuk besoj që kemi me pasur ndonjë telash të madhe”, thotë Matoshi.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së Muharrem Nitaj ka thënë shkurt për KosovaPress se nuk e dinë nëse do të finalizohet marrëveshja javën e ardhshme me LDK-në për bashkëqeverisje, përderisa tha se janë duke u zhvilluar negociatat.

Sot gjatë ditës LDK-ja ka publikuar rezultatet e votimin në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, për nominimin e Avdullah Hotit për të qenë kryeministër.

Në bazë të rezultateve të votave nga gjithsej 124 anëtarë aktualë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 117 anëtarë të KP, prej tyre 115 janë shprehur për (pro), ndërsa 2 janë shprehur kundër.