Niset me sukses moduli laboratorik “Wentian”

E publikuar: 25/07/2022 14:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një raketë bartëse “Marshimi i Madh-5B Y3” me modulin laboratorik të stacionit hapësinor kinez “Wentian”, u nis të dielën nga vendi i lëshimit së anijeve kozmike Wenchang në provincën Hainan të Kinës Jugore.
“Wentian”, që do të thotë “kërkimi i qiejve”, do të formojë pjesën e dytë të stacionit hapësinor të Kinës me tre module.
Më 17 korrik, anija e mallrave “Tianzhou-3” u hoq nga kombinimi i stacionit hapësinor, duke e lënë portën e përparme të bashkimit të modulit bazë “Tianhe” për modulin laboratorik “Wentian”.
“Wentian” do të ofrojë një platformë më të madhe për eksperimentet shkencore në hapësirë, kryesisht për kërkimet shkencore të jetës hapësinore. Moduli është i pajisur me kabinete laboratorike për ekologjinë e jetës, bioteknologjinë dhe shkencën e gravitetit të ndryshueshëm.

Një krah i vogël robotik sa gjysma e peshës dhe gjatësisë së krahut robotik ekzistues në modulin bazë të stacionit hapësinor ndodhet në modulin “Wentian”. Krahu robotik ka një kapacitet ngarkimi rreth një të tetën e paraardhësit të vet, dhe një saktësi pozicionimi pesë herë më të lartë, që i mundëson të kryejë operacione më të përpikta.
Krahu i vogël robotik do të ketë detyra të ngjashme me paraardhësin e tij, duke përfshirë ndihmën ndaj astronautëve gjatë veprimtarive jashtë mjeteve hapësinore dhe kryerjen e inspektimeve të kushteve jashtë.
Moduli “Wentian” ka gjithashtu të njëjtat mjedise të jetesës së astronautëve si moduli kryesor “Tianhe”, duke përfshirë tre zona gjumi, një tualet dhe një kuzhinë.

Gati 100 eksperimente janë planifikuar gjatë fazës së ndërtimit të stacionit hapësinor. Pas normalizimit të funksionimit të tij do të kryhen kërkime shkencore në shkallë të gjerë. Hulumtimi pritet të promovojë në mënyrë efektive arritje në fushat kryesore shkencore, të tilla si materia e errët dhe energjia e errët, formimi dhe evolucioni i galaktikave, ligjet e natyrës dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Tokës.
Moduli laboratorik “Mengtian”, përbërësi i fundit i stacionit hapësinor, do të niset në tetor.
Stacioni hapësinor i Kinës do të zgjerohet nga moduli bazë në një strukturë bazë me tre module në formë T-je deri në fund të këtij viti, me modulin bazë në qendër dhe dy modulet laboratorike, “Wentian” dhe “Mengtian”, në secilën nga dy anet e tij.
Islam Morina