Nis peticioni i VV-së me kërkesën për zgjedhje

E publikuar: 30/05/2020 21:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje edhe zyrtarisht ka nisur peticionin për të kërkuar zgjedhje.

Siç bëhet e ditur, në peticion janë të nevojshme të shkruhet emri, mbiemri, numri personal dhe adresa.

Peticioni, sipas VV-së, përfundon më 30 qershor, që i bie edhe 30 ditë, 2 orë e 10 minuta.

“Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja sepse vetëm përmes tyre mund të ketë legjitimitet qeverisja e re. Për të dalë nga kjo krizë, si hap të parë po mbledhim nënshkrimet për peticionin që ka vetëm këtë kërkesë: zgjedhje të reja. Jo qeveri pa zgjedhje e për vjedhje. Jo qeveri për ndarje e copëtim. Por zgjedhje, demokraci e zhvillim”, thuhet në thirrjen e VV-së.

KËTU GJENI PETICIONIN

VV-ja thotë se Kosova ka nevojë të menjëhershme për zgjedhje, që të zgjidhet kriza politike dhe të përcaktohet rruga që do të marrë vendi: drejt ndryshimit dhe çlirimit prej korrupsionit, apo drejt rikthimit të të korruptuarve.

“Me këtë peticion ne, qytetarët e Kosovës, duke vendosur nënshkrimin dhe numrin e letërnjoftimit, bëjmë të ditur se duam zgjedhje, e se vetëm qeveria e dalë nga zgjedhjet ka legjitimitet për të qeverisur. Veprimet në Kuvendin e Kosovës në 25 mars 2020 treguan se partitë e vjetra, PDK, LDK, AAK, Nisma dhe Lista Serbe, janë bërë bashkë kundër votës së qytetarëve. Ata nuk mundën ta durojnë një shtet të drejtë, që i largon të korruptuarit dhe nuk merr rroga të larta për vete, por i çon paratë në ndihmë të popullit, të ekonomisë e shëndetësisë. Ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese në 28 maj 2020, tregon se sa i kapur prej partive të vjetra është shteti e drejtësia. Aty ku kriminelët janë mbi gjykatat, të vetmit që ndëshkohen janë qytetarët”, thotë Vetëvendosje.

Në fund, thuhet se “Të dhënat e personale të çdo qytetarit të Republikës së Kosovës që nënshkruan këtë peticion, garantojmë që do të rruhen në pajtim me LIGJIN NR. 06/L-082 PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE”.