Nga Ballkani në Siri e Irak shkuan 1000 persona, 200 u vranë, 74 prej tyre kosovarë

E publikuar: 30/11/2017 18:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në qytetin Bërdo të Sllovenisë sot u mbajt Konferenca e dyte rajonale rreth parandalimit të ekstremizmi të dhunshëm, e organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, me pjesëmarrjen e autoriteteve të larta shtetërore nga i gjithë Ballkani. Rezultatet e prezantuara këtu treguan se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nga rajoni janë duke qëndruar në zonat e luftës në Siri e Irak. Gjithashtu u publikuan edhe statistika për viktimat në këto luftëra.

Hulumtimi i bërë i cili u prezantua në këtë konferencë, i titulluar “A Waiting Game” – “Loja e pritjes” – tregon se nga viti 2012 deri në vitin 2017 janë afër 1 mijë persona nga Ballkani Perëndimor të përfshirë në zonat e luftës në Siri e Irak. Prej këtyre mbi 200 janë vrarë, 300 të tjerë janë kthyer dhe riintegruar, ndërsa mbi 400 konsiderohen të zhdukur ose mungojnë. Raporti flet edhe për 5 mijë qytetarë të tjerë nga Evropa të cilët që nga viti 2012 kanë luftuar në këto zona.

Rreth 140 pjesëtarë tashmë kërkohen nga Interpoli për vepra të terrorizmit. Për rreth 70 nga këta njerëz pjesëmarrës në luftë tashmë ka përfunduar gjykimi dhe të njëjtët janë dënuar në total me 380 vite burgim. Sipas hulumtimit nga këta të burgosur ka edhe persona nga Kosova.

Që nga viti 2015, interesimi i qytetarëve të këtyre anëve për pjesëmarrje në këto lufta në Siri e Irak ka rënë dukshëm , ndërsa në vitin 2016 është stopuar pothuajse tërësisht.

Kosovën në konferencën rajonale kundër terrorizmit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm e ka përfaqësuar Kujtim Bytyqi nga Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, institucion ky i cili monitoron zbatimin e strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

Ai thotë se në Siri e Irak sipas statistikave janë 60 burra, 44 gra si dhe 29 fëmijë. Sipas Bytyqit, gjendja në Kosovë, sa i përket kësaj fushe, është e mirë. Ka përmirësime të ndjeshme ndër vite.

“Aktualisht në Siri vazhdojnë të jenë ende një numër burra, gra e fëmijë, e që sipas statistikave që institucionet e sigurisë i posedojnë janë rreth 60 burra, 44 gra si dhe 29 fëmijë”, informoi Bytyqi.

Sfidë rreth kësaj çështjeje për Kosovën, tha ai, mbetet riintegrimi dhe riatdhesimi i këtyre personave.

“Sfidë rreth këtyre rasteve vazhdon të jetë riatdhesimi dhe më vonë rrintegrimi i këtyre grave dhe fëmijëve në shoqërinë kosovare. Sidomos gratë dhe fëmijët që do të kthehen nga ato treva konsiderohet që kanë pësuar trauma në zonat e luftës. Andaj në kuadër të strategjisë është duke u punuar që programet e riintegrimit të gjejnë zbatim sa më të shpejtë edhe sa i përket rasteve të këtyre fëmijëve dhe grave që parashihet të kthehen”, ka thënë tutje Bytyqi.

Sipas të dhënave të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal të publikuara në këtë konferencë, nga viti 2012 deri në 2015, 148 shqiptarë të Shqipërisë morën pjesë në ketë konflikt. Por, jo të gjithë ata kanë qenë luftëtarë pasi një pjesë e tyre janë gra dhe fëmijë të shkuar nga Shqipëria përgjatë periudhës 2012-2015 si edhe të lindur aty.

Mësohet se aktualisht, 76 shqiptarë gjenden në Siri, nga të cilët 20 janë luftëtarë dhe 56 janë gra dhe fëmijë.

Gjithashtu, mësohet se rreth 140 pjesëtarë tashmë kërkohen nga Interpoli rreth çështjes së terrorizmit. Për rreth 70 nga këta njerëz pjesëmarrës në luftë tashmë ka përfunduar gjykimi. Të njëjtët janë dënuar në total me 380 vite burgim, ndërsa sipas hulumtimit nga këta të burgosur ka edhe persona nga Kosova. Në periudhën prej vitit 2012 deri në vitin 2017, sipas të njohurive të deritashme, gjithsej 74 kosovarë kanë gjetur vdekjen në zonat e luftës në Siri dhe Irak, raporton Gazeta Express.