Neziri: Kam respekt për kandidatin e LDK-së dhe të Vetëvendosjes por do t’i mundja që të dy!

E publikuar: 14/08/2017 14:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre me të cilat do të garojnë në garën për Kryetar të Komunës së Gjilanit, në zgjedhjet e tetorit, këtë akoma nuk e ka bërë Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Por, nga radhët e këtij subjekti politik, deri më tani është Gani Neziri, ai i cili publikisht ka shprehur ambicien e tij për të qenë kandidat i PDK-së, për Kryetar të Komunës së Gjilanit.

Madje ai thotë se, dita ditës, po shtohet mbështetja e bashkëpartiakëve dhe përkrahësve të PDK-së, për këtë, dhe se tani shpreson dhe beson fuqishëm se do ta fitojë besimin e plotë të partisë për të qenë edhe zyrtarisht i nominuar nga shefi i partisë, Kadri Veseli.

“Brenda kësaj jave pritet që edhe Dega e PDK-së në Gjilan të nominojë kandidatin e saj dhe se kujtoj se do të zyrtarizohet emri im. Publiku është në dijeni se nga radhët e PDK-së, deri më sot, vetëm unë kam paraqitur publikisht ambicien time për të qenë kandidat për Kryetar Komune, gjithsesi me mbështetje të pjesë më të madhe të anëtarëve të Kryesisë së degës dhe se shpresoj se, së shpejti edhe pjesa tjetër e kryesisë, do të reflektojë pozitivisht për mua, për të shtuar besimin në fuqinë e fitores time”, ka thënë Neziri për Portalin 2LONLINE.

Ai tha se prej të bërit publike se ka ambicie për të qenë ai kandidati i PDK-së, për kryetar komune, ka punuar në terren, me struktura të partisë, dhe se ka parë se ka mbështetje. Ai tha se ka pasur takime edhe me disa nga kryetarët e nëndegëve, nga të cilët ka kërkuar mbështetje dhe se në përfundim, është ndarë me disponim të shtuar.

Prandaj, thotë Neziri, është në përpjekje të vazhdueshme për të fituar besimin e partisë për të qenë edhe zyrtarisht i nominuar nga shefi i Partisë, Kadri Veseli.

“Edhe pse jam shumë i vetëdijshëm se Dega e PDK në Gjilan, aktualisht është në fazën më kritike të saj, që nga dita e themelimit, degradim i shkallës së fundit, do të thosha, megjithatë, të gjitha analizat më inkurajojnë se me një përkushtim të ri, me një aktivitet të sinqertë politik, pa dhënë premtime të rrejshme para popullatës, shumë besoj se do të rikthejmë besimin e humbur, sepse PDK është subjekt që ka mbështetje, është parti e qytetarëve, dhe përkrahja e tyre do të jetë e madhe”, thotë tutje Neziri.

I pyetur për të komentuar kandidaturat e subjekteve rivale, që tani më veç janë zyrtarizuar, siç është rasti me LDK-në që do të kandidojë Lutfi Hazirin si dhe Lëvizja Vetëvendosje, që do të garojë me Sami Kurteshin, në zgjedhjet e tetorit, Neziri thotë se nëse zyrtarizohet kandidatura e tij, do të hyjë në garë me këta dy kundërkandidatë, por edhe me të tjerë, dhe se ka respekt për ta, por se do t’i mund pa dyshim, e Gjilani do të jetë i qytetarëve, pasi do të qeverisët nga PDK-ja.

“Jam shumë dakord se, kryetari aktual i Komunës Lutfi Haziri, ka bërë edhe shumë punë të mira në qytet. Por, jam shumë i sigurt se unë do t’ia kaloja me punë të mira. Do të mund të punoja më mirë, më shumë, e më shpejtë dhe se do të punoja gjatë gjithë vitit/ mandatit, e jo vetëm pak para fushatave zgjedhore”, thotë Neziri.

Ai shprehet me respekt edhe ndaj kandidatit të Vetëvendosjes, por thotë se edhe atë do ta mundte lehtë dhe se edhe në raport me të, besimi i qytetarëve padyshim do të ishte për të, dhe për PDK-në.

“Po ashtu, edhe kandidati i Vetëvendosjes Sami Kurteshi meriton respektin qytetar, ai kreu punën e avokatit të popullit për mrekulli, por, kur është në pyetje udhëheqja komunale dhe stafi civil, kujtoj se kam përvojë më të mirë dhe njohje më të gjerë me organizimin e brendshëm të Komunës. Pra në fakt, mbajë respektin për të dy kandidatët por, do t’i mundja që të dy”, thotë Gani Neziri, i cili megjithatë thotë se po pret, besimin brenda partisë por t’u zyrtarizuar, madje ka se çfarë të shpalos konkretisht, kur do të flet pastaj edhe si kandidaturë zyrtare e PDK-së./2online/