Nëna e djalit të plagosur në Shtërpcë: Të dy u goditën nga plumbat rikoshet, s’është qëlluar mbi ta

E publikuar: 07/01/2023 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zorica Stojanoviq, nëna e Stefan Stojanoviq, që u plagos bashkë me një të ri tjetër në afërsi të Shtërpcës, ka folur për incidentin që ndodhi dje.

Ajo ka deklaruar se të dy janë lënduar pasi janë goditur nga plumbat rikoshet dhe se nuk është qëlluar në drejtim të tyre, shkruan N1, transmeton Klankosova.tv.

“Ai ka gjuajtur në rrugë, në asfalt, nuk ka qëlluar mbi ta (të rinjtë) dhe përveç djalit tim është plagosur një i ri tjetër. Faleminderit Zotit është mirë, gjallë dhe shëndoshë”, tha Stojanoviq.

Ajo shtoi se të dy të rinjtë, njëri 11 vjeç e tjetri 21, fillimisht janë trajtuar në Shtërpcë e pastaj janë dërguar për tretman të mëtutjeshëm në Spitalin e Llapnasellës në Graçanicë.

Plagosja e djeshme e dy serbëve në fshatin Gotovushë të Komunës së Shtërpcës u dënua ashpër nga zyrtarë kosovarë dhe ndërkombëtarë.

Kujtojmë se këtë të shtunë Prokuroria Themelore në Ferizaj, i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.K.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi se më datë 6 janar, në Gotovushë të Shtërpcës, me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta të dëmtuarit M.S., dhe S.S..

Më tej, Prokuroria ka dhënë detaje për rastin, ku thuhet se pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, i dyshuari A.K., e ka nxjerrë revolen dhe ka shtënë dy herë.