“Negociatat e vështira s’kanë ardhur ende”, dy analistë amerikanë flasin për dakordimin në Bruksel

E publikuar: 28/02/2023 21:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kurti Vucic-Borell-Lajcak

Analistët janë të ndarë lidhur me rëndësinë e arritjes së takimit të së hënës mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por bien dakord se ecuria e mëtejshme varet nga qasja ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Charles Kupchan, studiues në Këshillin Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë dhe David Kanin, profesor për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins, shprehën qëndrimet e tyre për përmbajtjen e propozimit dhe parashikimet e tyre për hapat e mëtejshëm në procesin e normalizimit.

Analisti i Këshillit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, Kupchan thotë se megjithëse ata që prisnin një nënshkrim marrëveshjeje të hënën mund të jenë zhgënjyer, takimi ishte i suksesshëm, pasi të dyja palët kanë rënë dakord me elementët kryesorë të dokumentit.

“Mendoj se mund të thuhet me siguri se pavarësisht mungesës së një firme, gota është më shumë se gjysëm plot. Unë do të thoja se është tre të katërtat plot.Askush nuk mund ta dijë se çfarë do të ndodhë më tej, por unë mendoj se palët kanë shënuar një pikë të rëndësishme kthese politike. Ato po shkojnë drejt vijës së finishit”, thotë ai.

Dhe vija e finishit për të është njohja zyrtare e Kosovës nga Serbia.

“Mendoj se serbët e dinë se duhet të bëjnë njohjen zyrtare të Kosovës si hapin e fundit përpara hyrjes në Bashkimin Evropian. Kështu që unë e shoh këtë si një proces me faza ku dokumenti që u publikua në Bruksel detajon se si do të zhvillohet faza e parë”, thotë Kupchan.

Por për profesorin e Universitetit Johns Hopkins dhe ish-analist i lartë i CIA-s për Ballkanin dhe Evropën, David Kanin, asgjë thelbësore nuk është zgjidhur dhe në fakt ndryshimi më i madh është që ka një tekst mbi të cilin mund të punohet.

“Por negociatat e vështira nuk kanë ardhur ende dhe aty do të jetë ose nuk do të jetë marrëveshja. Ky është thjesht një hap paraprak përpara drejt asaj që ata (Perëndimi) shpresojnë se do të jetë një marrëdhënie praktike mes dy palëve”, thotë profesori Kanin për Zërin e Amerikës.

Megjithëse ai vë në dukje se pika për shkëmbimin e misioneve është e rëndësishme, prof. Kanin thotë se dokumenti nuk e zgjidh çështjen e statusit të Kosovës.

“Prova e vërtetë e gjithë kësaj do të jetë nëse pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën deri më tani, do të shohin në këtë tekst dhe në diplomacinë tani e tutje, një bazë për ndryshimin e qëndrimeve të tyre dhe ta njohin Kosovën. Nëse kjo ndodh, do të ishte diçka e rëndësishme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë është e diskutueshme se sa e rëndësishme është gjithë kjo”, thotë ai.

Dy analistët bien dakord se Thembra e Akilit është çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha pas takimit se aneksi i zbatimit, i cili do të jetë udhërrëfyes i fazës së zbatimit të marrëveshjes, është “një pjesë integrale” e saj. Pika më e ndjeshme e zbatimit është pikërisht Asociacioni. Prof. Kanin thotë se fakti që Asociacioni nuk përmendet por ajo është pika më kritike, e bën të mendojë se ky dokument nuk është më i rëndësishmi.

“Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë para se të kemi një marrëveshje, dhe ajo qëndron tek aneksi i zbatimit, aty është marrëveshja. Kjo është thjesht një marrëveshje për t’u përpjekur për të arritur një marrëveshje”, thotë ai.

Madje ai shton se edhe qëndrimet e Kryeministrit Albin Kurti pas takimit se ishte gati të nënshkruante marrëveshjen, dhe të Presidentit Vuçiç se nuk ishte gati ta bënte këtë, duke e vënë theksin tek Asociacioni, tregojnë se gjendja në thelb mbetet e njëjtë.

“Ata kështu kanë folur edhe më parë: Serbia ka këmbëngulur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kurti ka thënë se kjo nuk është përparësi. Ata kanë përparësi të ndryshme dhe qëndrime të ndryshme. Kjo nuk ka ndryshuar”, thotë ai.

Kupchan është dakord se pengesa kryesore janë detajet e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Djalli qëndron tek detajet dhe ne nuk i dimë detajet. Ne e dimë se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes dhe është një pjesë e mozaikut, gjë që u bë e qartë kohë më parë. Ne e dimë gjithashtu se Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka konstatuar se kjo mund të jetë në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës dhe rrjedhimisht duhet menduar se si të koordinohet një farë niveli i autonomisë për komunitetin serb dhe pakicën serbe në Kosovë, me kompetencat e vetë qeverisë së Kosovës”, thotë ai.

Kupchan thotë se nuk dihet ende se për çfarë saktësisht është rënë dakord.

“Por unë mendoj se kjo është pika ku do të përqendrohet pjesa më e madhe e vëmendjes në javët në vijim, pasi duket të jetë pengesa më e rëndësishme. Të paktën me aq sa dimë arsyeja që dokumenti nuk u nënshkrua është se nuk kishte marrëveshje për modalitetet e Asociacionit”, thotë ai.

Por ato që Kupchan i sheh si detaje për t’u sheshuar drejt një vije finishi, Kanin i quan pengesa që mund ta lënë situatën në vend numëro për një kohë të gjatë.

Kupchan mendon se mesa duket propozimi parashikon një normalizim me faza.

“Në fazën e parë kemi marrëdhënie të mira fqinjësore, Kosova hyn në institucionet ndërkombëtare, dy palët shkëmbejnë misione diplomatike. Por nuk marrim një njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia”, thotë ai, duke shtuar se njohja zyrtare do të jetë pika përfundimtare e këtij procesi.

Për Kupchan, diplomacia perëndimore ka qenë e suksesshme dhe këtë e tregon fakti që të dyja palët kanë rënë dakord për elementët thelbësorë të propozimit.

“Unë nuk mendoj se Perëndimi po favorizonte njërën palë apo tjetrën, ose po bënte më shumë presion ndaj Kosovës se sa ndaj Serbisë. Mendoj se po bënte gjithçka që mundej për të ushtruar ndikim për t’i bërë palët që të kapërcenin një ngërç, një mungesë fleksibiliteti që e ka mbajtur rajonin në vend numëro për një kohë të gjatë”, thotë ai.

Por ndryshe nga Kupchan që mendon se të dyja palët duket se po negociojnë tani me mirëbesim, Kanin thotë se BE-ja dhe SHBA-ja po përpiqen të detyrojnë dy palë mosbesuese për një marrëveshje.

“Janë negociata ngurruese mes dy palëve që nuk i besojnë njëra-tjetrës, por që po detyrohen nga Perëndimi të arrijnë në një lloj marrëveshjeje”, thotë ai, duke shtuar se nuk beson që do të ketë një zgjidhje të shpejtë për statusin.

Dy analistët bien dakord se si kryeministrit Kurti, edhe Presidentit Vuçiç do t’u duhet të përballen edhe me konsideratat e brendshme politike në vendet e tyre. Por thotë Kupchan…

“Mendoj se kjo është një ditë optimiste për Kosovën dhe Serbinë dhe për rajonin në përgjithësi”.