Në QKUK stabilizohet gjendja e furnizimit me barna

E publikuar: 27/06/2018 09:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shërbimi farmaceutik i Barnatores Qendrore në QKUK ka dalë me shifra pozitive sa i përket furnizimit me barna dhe material shpenzues, për institucionet publike shëndetësore.

Sipas tyre, pas nënshkrimit të kontratave të reja, tashmë ka nisur edhe liferimi i barnave të ndryshme nëpër institucionet shëndetësore, dhe tani furnizimi është stabilizuar duke bërë që qytetarët të marrin barnat në kohë dhe falas, njofton Klan Kosova.

Referuar statistikave zyrtare të kësaj Barnatore, tani furnizimi me barna është mbi 70 për qind, me pritjen reale që brenda pak kohe, kur të nisin edhe liferimet tjera, kjo përqindje të jetë edhe më lart.

Kjo Barnatore është furnizuar edhe me anestetikë për nevojat dhe kërkesat e të gjitha klinikave dhe spitaleve, në mënyrë që të gjitha sallat operative të jenë funksionale dhe në krye të detyrës.

Në të njëjtën kohë, ata thonë se edhe me material shpenzues gjendja e stoqeve është stabilizuar dhe nuk bëhet fjalë për mungesa të materialeve bazike, si: penjë, kanilla, doreza, gjilpëra etj.

Në anën tjetër, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, së fundmi janë lidhur dhjetëra kontrata me çmime më të lira se ato parapraket, të cilat jo vetëm që kanë kursyer buxhetin e shtetit, por do të sigurojnë edhe më shumë barna për pacientë, thuhet në kumtesën e Shërbimit Farmaceutik, njofton Klan Kosova.