Në Polici vetëm 15% gra, krerët e shtetit kërkojnë që pjesëmarrja të rritet

E publikuar: 20/12/2021 11:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Numri i grave në institucionet e sigurisë vazhdon të jetë i ulur, kështu u tha në konferencën për lansimin e Agjendës për Barazi Gjinore në Policinë e Kosovës dhe Planin e Veprimit 2021-2023. Aty u tha se vetëm 15 për qind e të punësuarve janë gra.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se barazia gjinore duhet të jetë e përditshme dhe jo për të përmbushur kuotën gjinore.

Ajo u shpreh se përkrahja institucionale për gratë në institucionet e sigurisë nuk duhet të mungojë asnjëherë.“Si presidente jam përkushtuar në promovimin e gruas dhe në sektorin e sigurisë. Jam e vetëdijshëm se është bërë mund ne hartimin e Agjendës për Barazi Gjinore në Policinë e Kosovës dhe Planin e Veprimit 2021-2023. Në qendër të kësaj agjende është barazia, në te cilën është ndërtuar republika jonë”.

“Nuk ka shoqëri në qoftë se barazia nuk i prek krejt sektorët, duke përfshirë edhe sektorët e sigurisë që janë boshti i shtetit, ne duhet t’i inkurajojmë gratë që të bëhen pjesë e këtij sektori. Duke siguruar mekanizma adekuat që të mënjanohen pabarazitë gjinore”.

“Duhet t’i shmangim stereotipet e betonuara se sektori i sigurisë është një sektor i burrave. Nuk ka sektor të burrave, ka sektor të sigurisë me burra dhe gra që krahas njëri-tjetrit kujdesën për të gjithë sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim”.

“Shifrat e grave të punësuara në shumicën e institucioneve të sigurisë nuk janë inkurajuese, të gjithëve na mbetet shumë punë dhe duhet të rrisim përkushtimin tonë, që statistikat të pësojnë ndryshim të ndjeshëm dhe jo vetëm ne numra, por edhe në përfaqësim dhe në vendimmarrje të grave”, ka thënë Osmani.

“Shumë gra gjatë luftës mbrojtën shtetin, dhe ato gra dhanë gjithçka që dot të kemi shtetin tonë. Ne duhet t’i inkurajojmë gratë që të bëhen pjesë e institucioneve, dhe duhet t’i shmangim stereotipat se institucionet janë vetëm të burrave. Të dhënat tregojnë se janë 15 për qind gra në Polici, në FSK me 11 për qind e kështu më radhë”.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se barazia gjinore nuk ka për qëllim vetëm kuotën gjinore, por është edhe detyrim ligjor.

“Agjenda është ballafaquar me sfida të shumta në zbatimin e legjislacionit. Policia e Kosovës na dëshmon qasjen proaktive për ta fuqizuar rritjen e grave në siguri. Arritja e barazisë gjinore nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e kuotës gjinore, por është detyrim ligjor për të arritur sundim të ligjit. Kur gratë e raportojnë dhunën, duhet të gjejnë polici mbështetëse, dhe nuk duhet ta ndiejnë veten vetëm”.

“Janë një varg faktorësh që e vështirësojnë pjesëmarrjen e grave në këtë sektor, duke filluar nga zakonet kulturore që ende i mbajnë gratë larg uniformës. Për të angazhuar vajza dhe gra më shumë në këtë sektor duhet të punojmë të gjithë, duhet të krijojmë ambient të sigurt dhe paparashikime, me politika dhe instrumente efektive që parandalojnë dhe dënojnë çfarëdo mënyre të ballafaqimit me rastet e ngacmimeve seksuale në vendin e punës. Në sektorin e sigurisë domosdoshmëritë duhet të ketë me tepër gra, që siguria publike efikase dhe paqja e qëndrueshme”, ka thënë Kurti.

“Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje të Policisë është domosdoshmëri e kohës, nuk duhet vetëm përfshire formale, por duhet pjesëmarrje aktive. Përfshirja do të thotë kontribut i grave, por pjesëmarrja do të thotë se edhe ato do të fitojnë. Ato japin kontribut, andaj edhe duhet të fitojnë, nëse nuk ka zë gruaje në përgjigjen institucionale ndaj kërcënimeve të sigurisë njerëzore, edhe reagimi do të jetë gjysmakë, i pabalancuar dhe do të humbin nuancat e domosdoshme për përgjigje efikase për të shpëtuar jetën dinjitetin dhe vlerat qytetare”, u shpreh ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se mbi 15 për qind e të punësuarve në Policinë e Kosovës janë gra, raporton EO.

“Policia vazhdon të jetë shembull për barazi gjinore jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Funksionimi i shoqatës brenda policisë është një vlerë tjerët në Kosovë. Polici ka të punësuar. Pjesëmarrja e tyre mbi 15 për qind Vajzat dhe gratë janë në Polici që nga gjeneratat e para, ku nga rreshter e deri te grada kolonel”.

“Dokumenti i jep mbështetje edhe agjendës së OKB-së, ku garanton me mbulim shëndetësor, fuqizim të grave dhe një mjedis të qëndrueshëm. Përmes objektivave, policia do të mundësojë përfshirje e grave në këtë sektor, duke mos lënë anash mbështetjen institucionale”, tha Sveçla.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se përmes këtyre agjendave do të synojnë rritjen e numrit të grave në sektorin e sigurisë.

“Agjenda për Barazi Gjinore në Policinë e Kosovës dhe Planin e Veprimit 2021-2023, është agjendë e parë në Policinë e Kosovës por ju premtojmë se nuk do të jetë e fundit, sepse sëbashku do të avancojmë në hapat e sigurt drejtë rritjes së numrit të grave në sektorin e sigurisë”, tha Mehmedi.