Në mesin e shumë zhvillimeve në vend dhe rajon, Borrell telefonon Vuçiq-in

E publikuar: 08/06/2022 09:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka telefonuar mbrëmë presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Biseda theksohet të jetë zhvilluar në mbrëmje dhe me iniciativë të vetë Borellit, përgjatë kohës kur Vuçiq gjendej në Ohër, në kuadër të samitit “Ballkani i Hapur”.

Borrell njoftoi se ka iniciuar këtë telefonatë për t’ia bërë më dije bashkëbiseduesit nga Beogradi se pritet një angazhim i rëndësishëm në relacionin bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor.

“Ne duam të llogarisim te Serbia si një kandidate të sinqertë dhe partnere të besueshme evropiane për parimet, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët”, ka nënvizuar Borrell në llogarinë e tij në Twitter.

Ndryshe zyrtarët evropianë kanë theksuar se biseda është zhvilluar për shkak të zhvillimeve të fundit në botë.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së ka porositur se në kohën e agresionit ushtarak, të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus, kundër Ukrainës, BE pret që Serbia, si vend kandidat, të mos forcojë më tej lidhjet e saj me Federatën Ruse.

“Vendet kandidate, përfshirë Serbinë, pritet që në mënyrë progresive t’i harmonizojnë politikat e tyre ndaj vendeve të treta me politikat dhe qëndrimet e miratuara nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë edhe masat kufizuese”, ka deklaruar Peter Stano.

Serbia vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë./Lajmi.net/