Në Kosovë u administruan mbi 10 mijë doza përforcuese të vaksinës

E publikuar: 31/12/2021 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Kosovë deri më 30 dhjetor 2021 në Kosovë janë administruar 10, 112 doza përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, përveç kësaj, deri në këtë datë janë administruar 2093 doza të treta të vaksinës.

Administrimi i dozës përforcuese dhe të tretë të vaksinës në Kosovë ka nisur më 9 dhjetor.Në Kosovë tani doza përforcuese u jepet qytetarëve tre muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Kurse doza e tretë u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre, apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut ordinues.Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Në anën tjetër, deri më tani 782.060 qytetarë në Kosovë janë imunizuar me dy doza të vaksinës kundër COVID-19.Rikujtojmë se tashmë në Kosovë janë regjistruar raste të infektimit me variantin e ri të koronavirusit, Omicron.

Vaksinat kundër koronavirusit nuk ofrojnë aq shumë mbrojtje ndaj Omicronit, siç ofrojnë ndaj varianteve paraprake të koronavirusit. Vaksinat, megjithatë ndihmojnë shumë.Rezultatet laboratorike tregojnë se të paktën dy doza të vaksinës mund të mos jenë të mjaftueshme për të parandaluar infektimin, por një dozë përforcuese e kompanisë Pfizer apo Moderna, prodhon antitrupa që e luftojnë virusin, mjaftueshëm sa për t’iu kundërvënë Omicronit.

Nivelet e antitrupave bien pas një kohe dhe marrja e një doze përforcuese bën që nivelet të ngrihen sërish. Nëse një person merr dozë përforcuese Pfizer, atëherë niveli i antitrupave rritet për 25 herë.