Në Kosovë janë shënuar 1012 vetëvrasje, që nga pas lufta!

E publikuar: 30/12/2019 23:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të shumta kanë qenë rastet kur shoqëria tronditej nga rastet e vetëvrasjes, sidomos që nga paslufta e tutje.

Sipas të dhënave të regjistruara nga Policia e Kosovës prej vitit 2001 e deri në vitin e kaluar, 1012 persona në vend kanë bërë vetëvrasje.

Ndërkaq, po ashtu sipas të dhënave që Policia e Kosovës ia ka siguruar KTV-së edhe më i madh është numri i tentim-vetëvrasjeve në vend.

E për të parandaluar këtë fenomen, është krijuar një linjë telefonike e cila merret me persona që kanë tendenca për vetëvrasje, ndonëse kjo linjë nuk ka gjetur përkrahje institucionale.

Sipas Bind Skejës, organizata ka pasur takime me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili si dhe me zyrtarë të tjerë për rritjen e kapacitetit të linjës, porse të njëjtit nuk kanë përkrahur këtë projekt.

Iniciatori i krijimit të kësaj linje, tutje shton se është e rëndësishme që përmes linjës, personat e prekur nga mendimet vetëvrasëse të gjejnë përkrahje.

E se një linjë e tillë është e nevojshme e thotë edhe psikologu Naim Telaku, sipas të cilit, rëndesa psikologjike në Kosovë, është më se evidente.

Për psikologun Telaku, shëndeti mendor po anashkalohet pikërisht nga institucionet përgjegjëse për t’u marrë me raste të tilla, derisa shton se po bëhet pak në trajtimin e shëndetit mendor në Kosovë.

Lidhur me mospërkrahjen e këtij projekti nga Ministria e Shëndetësisë, televizioni ka kontaktuar edhe me zyrtarë nga kjo ministri si dhe me vetë ministrin Ismaili, por ka qenë e pamundur të merret një përgjigje.