Në klubin e natës që u përfshi nga zjarri, dyshohet se janë trupat e 40 personave

E publikuar: 05/12/2016 07:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në klubin e natës që ndodhet në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, i cili u djeg në tërësi nga flakët, besohet se ndodhen trupat e 40 personave.

Struktura e godinës është shumë e dobët dhe mundet të rrënohet në çdo moment, duke e bërë të pamundur që zjarrfikësit të hynë brenda, transmeton Telegrafi.

Megjithëse janë shuar flakët, objekti ka mbetur rrënojë, ndërsa është e vështirë të intervenohet për të kërkuar për viktimat.

Deri më tani janë nxjerrë të vdekur nëntë persona, teksa kërkohej për 25 të zhdukur, mirëpo me informatat e reja, del se brenda kanë qenë edhe 15 njerëz më shumë.

“Po e presim më të keqën, është një tragjedi e vërtetë. Brenda kanë qenë afro 100 persona që festonin, por kur zjarri është ndezur vetëm gjysma kanë dalë jashtë” ka thënë Mark Hoffmann, që është në krye të ekipit të kërkuesve.

Pas shembjes së kulmit për katin e dytë, tërë bazamenti ka rënë në katin e parë dhe i ka zënë poshtë të pranishmit. /Telegrafi/