Në 50 kuti votimi nuk përputhen të dhënat – do të zhvillohen hetime

E publikuar: 12/06/2017 21:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Procesi i pranimit dhe verifikimit të kutive të votimit të sjella nga Komisionet e Kuvendeve Zgjedhore është në fazën përfundimtare.

Nën masa të rrepta të sigurisë dhe pranisë së vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po bëhet pranimi i kutive të votimit, raporton KTV.

Pas pranimit të të gjitha kutive të votimit, do të nisë edhe numërimi i votave, e që sipas zyrtarëve të kësaj qendre, pritet të ndodhë një javë më pas.

Sipas Burim Ahmetajt, koordinator në QNR, gjatë pranimit, për 50 kuti të votimeve nuk janë përputhur të dhënat, për të cilat thotë se ato duhet të hetohen.

Procedurat e regjistrimit të të dhënave të materialit zgjedhor nga e gjithë Kosova do ta vonojnë edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Deri tash, nga fletëvotimet e numëruara, 658 mijë e 750 prej tyre janë fletëvotime të vlefshme, ndërsa 50 mijë e 543 të pavlefshme.

Ndërsa numri i votuesve që kanë votuar me kusht është rreth 30 mijë.

Në zgjedhje kanë marrë pjesë 40.2 për qind e qytetarëve, nga 1 milion e 872 mijë e 941 persona me të drejtë vote.